SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një bisedë për të përditshmen kroate “Vecernji list”, ka folur hapur në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensioneve të mundshme mes dy vendeve pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, sikurse edhe për raportet me Kroacinë.

Mes tjerash, Thaçi foli edhe për rolin rus në Kosovë, por edhe në rajon, ndërsa ka thënë se beson që Bosnja e Hercegovina është peng i Republikës Serbe. Po ashtu, presidenti ka folur edhe për përkushtimin e Kosovën në luftën kundër radikalizmit islamik dhe terrorizmit.

Në lidhje me rezultatin zgjedhor, ku sipas të dhënave preliminare të KQZ-së del se koalicioni PAN ka fituar këto zgjedhje me rreth 34 për qind të votave, Thaçi thotë se s’ka rëndësi se kush e formon Qeverinë, por e rëndësishme është që ajo qeveri të jetë e orientuar kah NATO dhe BE-ja, që, sipas tij, “është i vetmi orientim i qytetarëve dhe politikanëve në Kosovë”.

Ndonëse u pyet nga “Vecernji List” që të komentojë në lidhje me takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në samitin Brdo – Brijuni,Thaçi iu shmang pyetjes duke folur në përgjithësi për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohem tash e disa vite në kuadër të dialogut në Bruksel dhe kemi ndërtuar një komunikim të drejtë dhe konstruktiv përkundër deklaratave të liderëve politikë në Beograd që i japin për konsum ditor. Ajo që është më e rëndësishmja, e që del haptas nëpër forume sikurse ky i Brdo – Brijunit, është se e tërë Evropa juglindore është e angazhuar për vlera që i paraqet Bashkimi Evropian. Të gjithë liderët, të gjitha shtetet që synojnë BE-në, duhet të mbështesin dhe të komunikojnë në pajtim me këto vlera mbi të cilat është ndërtuar BE. Nuk mund të mbesim peng të së kaluarës, të miteve nga e kaluara e të armiqësive nga e kaluara. Duhet të shkojmë kah e ardhmja, të ndërtojmë raporte të mira ndërfqinjësore. Ndonjëherë kjo nga liderët kërkon vendime të vështira, por të rëndësishme pasi është e vetmja rrugë kah BE-ja. Me presidentin Vuçiq kemi ndërtuar komunikim korrekt. Në disa raste, kur ka qenë e nevojshme, kemi biseduar edhe përmes telefonit. Bisedimet në Bruksel nuk janë të lehta për asnjërën palë. Por, më e rëndësishmja është se të gjithë jemi të angazhuar që të sjellim vendime të mira për vendet tona, për qytetarët e vendeve tona, pavarësisht se sa të vështira mund të duken ato në shikim të parë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tutje tha se veprime të pamatura, siç ishte ai i trenit serb dhe murit në veri të Mitrovicës, nuk ekzistojnë më.

“Për sa i përket ushtrisë, secili shtet i pavarur ka ushtrinë e vet. Edhe Kosova do ta ketë të sajën e cila do të jetë forcë profesionale me standarde të NATO-s. Do të jetë forcë multietnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Evropës juglindore. Në fakt, kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan janë bazat ruse në Serbi”, theksoi Thaçi.

Presidenti i Kosovës, në këtë bisedë për të përditshmen kroate, ka thënë se Kroacia është më shumë se vetëm një vend mik i Kosovë – “është partner strategjik”.

Duke folur për iniciativën për ndryshim të Kushtetutës, përmes së cilave ndryshime pakica kroate në Kosovë do të përfitonte përfaqësuesin e saj në Parlamentin e Kosovës.

“Që në momentin që kam marr postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, vizitën e parë q kam realizuar tek komuniteti kroat në Janjevë. Në mesin e iniciativave të para që i kam ndërmarr ka qenë reforma zgjedhore e cila përfshin ndryshime kushtetuese dhe njohjen e komuniteteve kroate dhe malazeze, dhe përmes kësaj atyre u garantohet nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i ri që do të formohet do të trajtojë edhe këtë çështje. Në Kosovë ekziston konsensusi i përfshirjes së komunitetit kroat në Kushtetutën e Kosovës. Kjo do të ndodh së shpejti”, ka deklaruar Thaçi.

I pyetur për raportet zyrtare me Rusinë dhe për mundësinë që kjo e fundit të njohë pavarësinë e Kosovës, Thaçi thotë: “Rusia ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë. Ne e kuptojmë miqësinë tradicionale mes Rusisë e Serbisë dhe kjo nuk na pengon. Në të vërtetë, besojmë se Rusia do t’i kryente shërbimin më të mirë Serbisë duke e njohur Kosovën dhe duke e ndihmuar Serbinë që të çlirohet nga miti rreth Kosovës”.