SHPËRNDAJE

Me lirimin e Sami Lushtakut edhe Sylejman Selimi e Jahir Demaku është dashur që të lirohen.

Kështu ka thënë Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Sylejman Selimit.

Sipas Gashit, ky vendim i Gjykatës Supreme është dashur të ndodh njësoj, pasi që Lushtaku, Selimi e Demaku, kanë qenë në një gjykim të përbashkët sa i përket pikës së aktakuzës.

Gashi tutje ka thënë se akoma nuk e di se përse Gjykata Supreme nuk ka vendosur edhe për lirimin e klientit të tij.

“ Pa e marrë aktgjykimin e nuk kemi se si të komentojmë këtë. Në momentin që e marrim aktgjykimin e shohim se si ka vendosur Gjykata Supreme pasi Gjykata ka vendos që me e lirua Sami Lushtakun Gjykata nuk ka alternativë tjetër përveç se të vendos njëjtë, pra që ta liroj edhe zotëri Selimin. Por pa e marrë vendimin në formë të shkruar dhe këtë mund t’jua konfirmojmë vetëm atëherë kur e kemi në formë të shkruar. Gjykata është dashur që menjëherë apo në kohë të njëjtë ti dërgoj tri aktgjykimet sa i përket Sami Lushtakut, Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut sepse sa i përket kësaj pike të akuzës ka qenë gjykim i përbashkët, mirëpo pse është vendosur kështu nuk mund të themi asgjë deri sa nuk i marrim vendimet në formë të shkruar”, Tomë Gashi, i cili shtoi se akoma nuk e di se kur mund të marrë një vendim të tillë Gjykata Supreme.

Ndryshe, Sylejman Selimi është shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Selimi në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me një pjesëtar tjetër të UÇK-së të panjohur, “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga fshati Gllanasellë, i ndaluar në qendrën e ndalimit në Likoc, duke e rrahur teksa ai po e pastronte dyshemenë e burgut”.