SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës Kosovës, të mbajtur më 21 korrik 2017, kryeministri në detyrë Isa Mustafa, kishte paralajmëruar se KEK-u mund të ndalojë së prodhuari energji elektrike, shkaku i problemit me shpronësimin e pronave në Hade dhe Shipitullë.

E zv. ministri nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugova, kishte deklaruar se janë plotësuar të gjitha kushtet për shpronësim dhe se ky proces do të ndodhë.

Lidhur me këtë problematikë, Skënder Bucolli nga Zyra për Komunikim e Korporatës Energjetike të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Observer, ka thënë se vazhdimisht kanë bërë përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për shpronësimin e atyre pronave, në mënyrë që t’i mundësohej KEK-ut rritja e kapaciteteve prodhuese, por, sipas tij, e gjithë kjo përpjekje ka hasur në neglizhencë të institucioneve përgjegjëse.
Rezervat aktuale të qymyrit janë duke u harxhuar, ndërkohë pritet reagimi i institucioneve përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjes së shpronësimit të pronave në dy lokacionet e lartcekura të caktuara për gërmim.

“Që nga viti 2013 KEK-u kishte filluar procedurat për shpronësim/zhvendosje, për këtë pjesë të fushës së licencuar për zhvillimin e mihjes, dhe me vendim të MMPH-së sipas KPZH ( Kornizës së Politikave të Zhvendosjes), duke synuar standardet më të avancuara ndërkombëtare për sa u përket të drejtave të banorëve të prekur nga procesi i zhvendosjes duke zbatuar parimin kryesor se jetesa e banorëve duhet të jetë më e mirë pas këtij procesi”, ka deklaruar Bucolli për Gazetën Observer.

Për çështjen e shpronësimit është bërë vlerësim i detajuar nga ekspertë ndërkombëtarë, por megjithatë ende nuk është gjetur një zgjidhje.

“Në këtë vijë, KEK ka angazhuar resurset dhe ekspertizën më të mirë vendore dhe ndërkombëtare që të bëjë një vlerësim dhe kompensim transparent dhe të drejt me qëllim të ngritjes se mirëqenës se banorëve të afektuar. Është përcaktuar saktë shkalla e kompensimit të secilës kategori, e cila pastaj është zbërthyer përmes vlerësimit të licencuar profesional, në oferta individuale, për secilin pronar dhe banorë,  duke përllogaritur secilin detal të pasurisë se tyre dhe duke u ofruar edhe përfitime shtesë për transferim dhe rikrijim të jetesës së tyre në vendbanimin e ri duke respektuar maksimalisht të drejtat e tyre”, thotë ai.

Për të evituar bllokadën e prodhimit të energjisë, ai thotë se kishin informuar të gjitha institucionet, duke filluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por gjithçka kishte hasur në veshë të shurdhër.

“Që nga viti 2013 e deri sot në vazhdimësi, të gjitha institucionet relevante dhe palët kryesore të interesit në vazhdimësi (duke përfshirë Qeverinë e Republikës së Kosovës, Komunën, Bankën Botërore, etj.), ishin të njoftuara nga KEK-u rreth rrjedhave dhe ngecjeve në këtë proces, ju ishte kërkuar ndihmë për të evituar bllokadat, ishin paralajmëruar në vazhdimësi për aktivitetet ilegale si dhe rreth rrezikut për rritje të kostos dhe për ndalje të prodhimit. Por fatkeqësisht në këtë proces, nuk ishte parashikuar se prodhimi do të rrezikohet, si pasojë e mosveprimeve të organeve kompetente që kishte nxitur akte manipuluese të spekulanteve individualë”, ka treguar Bucolli.

Në pjesën ku pritet të bëhet shpronësimi, për arsye të gërmimit, Bucolli thotë  se tashmë problem në këto zona janë edhe ndërtuesit ilegal të cilët kanë tentuar të përfitojnë nga gjendja.

“Përkundër njoftimeve dhe alarmimeve të përhershme nga ana e KEK-ut, për shkak të neglizhencave të vazhdueshme të institucioneve (inspektorateve kompetente) edhe pse kishin informacione të sakta, në këtë zone kemi pasur aktivitete ilegale të ndërtimeve të egra, jo për jetesë por për qëllime spekulative të përfitimit. Si ilustrim, bashkangjitur mund të gjeni pamjet satelitore me ndryshimet që kanë ndodhur në atë zonë për një periudhë shumë të shkurtër kohore. Për më keq, ndërtuesit ilegal kishin duart e lira të veprojnë të qetë, me ç’rast përmes manipulimit të banorëve legjitim, nuk ishte lejuar incizimi objekteve dhe qasja në lagje të tëra, derisa ndërtimet e egra për qellim përfitimi vazhdonin me një hovë të shtuar.

Ai thotë se për prodhimin e energjisë, janë shfrytëzuar disa zona të cilat ishin izoluar më herët, ndërkohë jep alarmin se këto rezerva tashmë po harxhohen.

“Si shenjë e vullnetit të mirë të KEK-ut, për ti dhenë hapësirë arritjes së marrëveshjeve miqësore me banorët e afektuar, që nga korriku i vitit 2016, kishte filluar ndalja e ekskavatorëve që punojnë në zbulimin e qymyrit. Përkundër kësaj, falë punës së palodhshme dhe menaxhimit efikas që ishte bërë në KEK, nga korriku vitit kaluar deri më tani, Termocentralet e Kosovës ishin furnizuar nga rezervat e qymyrit që ishin zbuluar më herët, dhe deri tani nuk kemi pasur ngecje ne prodhimin e energjisë sipas planit dhe bilancit vjetor. Sido që të jetë, për shkak të ndërprerjes së punës në hapjen e mihjes në drejtim të fshatit Shipitullë, këto rezerva tashmë janë duke u shpenzuar”,  ka potencuar zëdhënësi i KEK-ut.

Sipas Bucollit rezervat aktuale të energjisë do të shpenzohen në raport me veprimet e institucioneve për zgjidhjen e problemit të shpronësimit.

“ KEK-u është duke analizuar në vazhdimësi situatën rreth rezervave aktuale, por afati i shpenzimit të tyre varet tani kryekëput nga ekspeditiviteti i institucioneve përgjegjëse në kryerjen e detyrave të tyre për të zhbllokuar situatën dhe lejimin e menjëhershëm për qasje në zonën e përcaktuar për zhvillimin e mihjes” ka përfunduar Bucolli.