SHPËRNDAJE

Që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë kryeqytetin serb nuk e ka vizituar asnjë president amerikan. Tani presidenti Aleksandar Vucic po e pret vizitën e homologut amerikan, Donald Trump, i cili pritet të vizitojë Serbinë në fund të vitit 2018. Mediat serbe raportojnë për këtë rast duke e lidhur vizitën e Trump-it me disa kushtëzime për raportin e Serbisë me Kosovën dhe Rusinë e Putin-it.

Pas vizitave nga disa liderë evropianë, si dhe pas vizitës së liderëve nga Kina e Rusia, shteti serb ka mundësi që së shpejti ta pres Donald Trumpin.

“Do të ishte një vizitë historike, pasi Trump do të bëhej presidenti i parë amerikan që do të vijë në Serbi”, thotë Aleksandra Joksimovic nga Qendra për Politika të Jashtme.

Në vitin 1980, presidenti amerikan Jimmy Carter zhvilloi një vizitë zyrtare në Serbi-asokohe pjesë e Jugosllavisë.

Trump me gjasë do të qëndrojë në Serbi në fund të vitit 2018, dhe përderisa disa këtë vizitë  e vlerësojnë si historike, disa të tjerë kanë frikë se nuk është e mirëseardhur apo dobiprurëse për Serbinë.

“Në njërën anë Trump mund të vijë këtu për të parë nëse ne duam të heqim dorë nga Kosova, dhe të bëjmë gjithçka që është kërkuar nga ne tash e sa kohë. Poashtu mund të kërkohet edhe heqja dorë nga miqësia me Rusinë”, thotë gazetari Zeljko Cvijanovic.

Kujtojmë që vizitën e Trumpit në Serbi e ka konfirmuar para gazetarëve presidenti Vucic-i cili tha që Trump pranoi ftesën e tij për ta vizituar Beogradin.