SHPËRNDAJE

Së paku 13 persona kanë vdekur nga goditja e uraganit IRMA. Kryebashkiaku i Majamit ka dhënë paralajmërim dramatik: të largohen të gjithë sepse nuk do të mund t’i shpëtojnë.

Ministria franceze për rajonet e përtejdetit ka konfirmuar se kanë vdekur  së paku tetë persona, ndërsa dy të tjerë janë të lënduar rëndë në ishujt Shën Martin dhe Shën Bartolomei nëpër të cilët ka kaluar uragani IRMA.

Një person ka vdekur në Angvila dhe një fëmijë dy vjeç në Barbuda.

Në Porto Riko për shkak të uraganit kanë vdekur një grua 79 vjeçe, një mashkull dhe një grua e re.

Është shkatërruar gati e gjithë infrastruktura, ndërsa dëmet materiale janë shumë të mëdha. Uragani IRMA është uragani më i fuqishëm i shënuar ndonjëherë në Oqeanin Atlantik.

Videon e uraganit IRMA e ka publikuar NASA, derisa një aeroplan hulumtues hyri pikërisht në qendër të uraganit dhe e xhiroi një video për të treguar se si është në qendër të uraganit.

Kryebashkiaku i Majamit Philip Levine, ka deklaruar se uragani IRMA është “uragan nuklear” dhe se të gjithë banorët dhe turistët duhet të ikin nga ai regjion.

“Kjo është stuhi shumë serioze dhe e fuqishme. Unë këtë e quaj uragan nuklear. Ju rekomandoj dhe i lus të gjithë banorët tanë si dhe vizitorët që ta lëshojnë këtë regjion”, ka deklaruar Levine dhe ka thënë se nuk do t’i cenojë jetët e shpëtimtarëve kur fillon uragani.

“Nuk dëshirojmë trima. Këtu nuk bëhet fjalë mbi dëmet, është me rëndësi evakuimi”, ka porositur ai. /metro