SHPËRNDAJE

 

“Do ta çlirojë Kosovën nga korrupsioni, njëjtë sikurse e çliruam nga Serbia”, deklaroi Veseli të hënën, në Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës.

E gjithë këtë fjalim Veseli e ka mbajtur para syve të bashkë partiakut të tij, Besim Beqaj, i cili është nën hetime për korrupsion, dhe tash së fundi për drejtor të ministrisë së tij ka zgjedhur edhe një drejtor të dënuar për korrupsion.

Bëhet fjalë për Lulzim Kadriun, zyrtarin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë që është përmendur nga ambasadori amerikan Philip Kosnett. Atij nuk i ka pëlqyer aspak emërimi i Kadriut në postin e drejtorit të Departamentit Ligjor.

Ka thënë se emërimi i fundit në këtë ministri është fyerje për qytetarët e Kosovës, përderisa ai ka qenë i dënuar për korrupsion, shkruan Insajderi.

“Në kategorinë e ‘emërimeve të pakualifikuara, Ministria e Inovacionit ka emëruar drejtor ligjor një person të dënuar për korrupsion, vendim të cilin e ka mbështetur edhe Apeli. Një fyerje për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Kadriu ka qenë drejtor në Drejtorinë për Administratë, e më vonë për Gjeodezi dhe Kadastër, në Komunën e Skenderajt, të udhëhequr nga Sami Lushtaku.

Kadriu ishte akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, bashkë me zyrtarë të tjerë, por vetëm ai dhe Halim Gecaj ishin gjetur fajtorë. Të dy, në fund të tetorit të 2017-s, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ishin dënuar me nga 6 muaj burgim që me kërkesë të tyre, u ishte konvertuar në gjobë prej nga 1,800 eurosh.

E 6 muaj më vonë, edhe Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, derisa rastet e tyre kishin të bënin me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës, pa miratim të Kuvendit Komunal.

Edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj është i akuzuar për korrupsion në rastin e Pronto për të cilën Insajderi kishte publikuar përgjime nga biseda e tij me Adem  Grabovcin.

Aty dëgjoheshin qartë duke vendosur për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike me kushtin e vetëm që të jenë njerëz të partisë. /Insajderi.com