SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e partive politike pritet të mblidhen sot për të diskutuar rreth shpërndarjes së Kuvendit.

Të gjitha subjektet politike janë deklaruar pro shpërndarjes, e cila do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Por në rast se edhe më tej vazhdon të ketë zvarritje të zgjedhjeve, zyrtarët e LVV-së kanë paralajmëruar organizim të protestave, shkruan sot gazeta Zëri.

Teksa ka dhënë njoftimin për mbledhjen e Kryesisë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se ky takim ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e secilit grup parlamentar lidhur me situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit.

Me këtë rast Veseli ka njoftuar se si udhëheqës i koalicionit PAN i ka kthyer përgjigje presidentit Hashim Thaçi dhe e ka njoftuar atë se nuk do të ketë mandatar tjetër për formimin e Qeverisë.

Para këtij njoftimi Thaçi i kishte shkruar Veselit dhe i kishte kërkuar që partnerët e koalicionit ta propozonin kandidatin e ri për kryeministër.

Ndonëse opsionin e mandatimit të një kandidati të ri për kryeministër e lejon Kushtetuta, partitë politike po kërkojnë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, Veseli ka konsideruar se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të shmangen pas situatës së krijuar tashmë.

“Kam thënë dhe e përsëris, zgjedhjet janë të pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar”, ka potencuar ai.

Së këndejmi i pari i PDK-së, ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja në Kosovë duhet të ndodhë sa më parë.

“Si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejt të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka shtuar Veseli.