SHPËRNDAJE

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vlora Dumoshi e ka lënë anash fushatën për zgjedhjet e 11 qershorit duke u solidariuzar me viktimat e sulmeve ekstremiste islamike sikurse ai që ndodhi para dy javësh në Manchester sikurse edhe dje në Londër.

Dumoshi në rrjetin social Facebook e ka shpërndarë faqen e këngëtarës së njohur botërore Ariana Grande e cila në këto momente po mban koncert bamirësie për t’i nderuar viktimat që humbën jetën pikërisht kur po mbahej koncerti i saj.

“Në këtë zallahi parazgjedhore dhe vorbull të postimeve politike të ndalemi për një moment dhe të solidarizohemi me të gjithë njerëzit, popujt dhe vendet e prekura nga ekstremizmi i dhunshëm”, ka shkruar Dumoshi.

Në koncertin me titullin “One Love Manchester”, që po mbahet ditën sot, krah këngëtares janë dhe artistë të tjerë të njohur si Justin Bieber dhe Katy Perry.

Në sulmin e 22 majit në dalje të ambjenteve të “Manchester Arena” pak pas përfundimit të koncertit të Ariana Grandes, u vranë 22 vetë dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë.

Shumë nga viktimat ishin vajza të reja, admiruese të këngëtares. Të tjerë ishin prindër që po prisnin fëmijët e tyre pas koncertit