SHPËRNDAJE

Veturat nuk i kanë të pajisura me targa zyrtare andaj zyrtarët mund t’i përdorin ato pa “pikë” problemi kah të dojnë.

Ndonëse ligjërisht është e përcaktuar vendosja e targave zyrtare, zyrtarët e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit ajror i shfrytëzojnë automjetet e këtij institucioni mirëpo pa targa zyrtare dhe pa të dhëna se për çka janë shfrytëzuar ato dhe treguar shpenzimet me derivate, shkruan Indeksonline.

Përdorimi i tyre në këtë formë lehtë hap dyshime se mund të ketë manipulime duke mos u zbuluar.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit e bënë të ditur këtë fakt.

“Nga testimi i dy (2) mostrave rreth menaxhimit të automjeteve zyrtare kemi identifikuar se: 12 automjete vazhdojnë të jenë me targa jo zyrtare; Mungojnë kërkesat për përdorim të automjetit nga shfrytëzuesit; dhe Nuk kishte regjistër të plotë të informatave rreth kilometrave të kaluara, destinancionit, qëllimin e shfrytëzimit, derivateve të shpenzuara, etj” thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas ZKA-së, mungesa e një procesi të dokumentuar plotësisht të autorizimeve dhe shfrytëzimit të automjeteve mund të rezultojë me përdorime jo zyrtare dhe shpenzime të parregullta që lidhen me përdorimin e automjeteve.

Auditori ka rekomanduar drejtorit të përgjithshëm të AShNA-së që të sigurojë se menaxhimi dhe shfrytëzimi i automjeteve zyrtare të bëhet në përputhje me kërkesat e legjislacionit ku për secilin automjet zyrtar të shfrytëzuar duhet të mbahet evidencë e plotë dhe që pajisja e veturave me targa zyrtare po ashtu duhet të adresohet.