SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic ka thënë këtë të premte se autoritetet në Prishtinë edhe mund të mos jenë të sigurta që të përmbushin marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Për këtë, ai përmend si pengesë Lëvizjen Vetëvendosje të drejtuar nga Visar Ymeri, e që Vucic iu ka referuar si “Vetëvendosja e Albin Kurtit”, shkruan Majdanpek, transmeton Klan Kosova.

“Ata nuk mund të përmbushin marrëveshjet e dialogut për shkak të presionit të Lëvizjes së Albin Kurtit”, citohet të ketë thënë Vucic.

Më tej, Vucic ka përmendur arrestimin e serbit Bogdan Mitrovic në Kosovë, duke pohuar se do të këmbëngulë për këtë rast dhe do të tregojë se kush vendos në Kosovë.

“Ne jemi gati që të bëjmë gjithçka dhe për ato që kemi rënë dakord t’i respektojmë por edhe për ato që ata duan edhe pse nuk jam i sigurt se ata munden”, ka thënë Vucic.

“Në këtë atmosferë politike, të presionit nga Vetëvendosje, vërtetët mendoni se ata mund të zbatojnë diçka?” ka thënë Vucic.

Presidenti serb dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, janë takuar këto ditë në Bruksel për të diskutuar për marrëveshjet mes dy palëve të cilat nuk janë respektuar në praktikë.