SHPËRNDAJE

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan M. Vujiçiq, ka thënë se deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës do të votojnë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij, kjo do të ndodhë shumë shpejtë dhe pa asnjë dyshim sepse ata “janë obliguar kur, si përfaqësues të Republikës së Kosovës, kanë dhënë betimin”.

“Me këtë veprim, ata janë zotuar se do të punojnë në interes të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj, se do të angazhohen në mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit institucional të Kosovës, për garantim të lirive dhe të drejtave të njeriut, në pajtim me ligjet e vendit dhe standardeve evropiane”, ka thënë Vujiçiq përmes një deklarate për media, raporton Koha.net.

“Prandaj, reaksionin negativ të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ndaj deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se Kosova deri në fund të vitit do ta ketë ushtrinë, e konsiderojmë si të shtënë të zbrazët dhe një goditje tjetër ndaj qytetarëve tanë dhe vetes së tij”, është shprehur më tej Vujiçiq.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Vujiçiq, thotë se Forcat aktuale Mbrojtëse të Kosovës, përveç emrit, nuk i dallon asgjë nga forcat e armatosura të shteteve tjera në rajon dhe në përbërjen e saj, në mesin e pakicave tjera, kanë një numër të konsiderueshëm të ushtarëve dhe oficerëve serbë të Kosovës.

“Ky është realitet që nuk mund të fshihet dhe që nuk do të duhej fshehur nga qytetarët e Serbisë”, thekson Vujiçiq.

“Forca e tanishme Mbrojtëse dhe e ardhmja e Armatosur e Kosovës, në partneritet me NATO-n dhe me SHBA-në, nuk do të jetë kërcënim për paqen dhe stabilitetin e vendeve në rajon, siç dëshiron ta paraqes ministri Vulin, por do të jetë e kundërta, garant i tij”, ka përfunduar Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan M. Vujiçiq.