SHPËRNDAJE

Lëvizja e Socialistëve ka dënuar vendimin e Prishtinës për të mos i lejuar liderit të saj, Aleksandar Vulinit hyrjen në Kosovë. Vetë Vulin, ndërkaq ka thënë se Kosova ka të vetmen armë dhunën, raportojnë mediet e Beogradit.

Partia e Vulinit vendimin e Prishtinës e quan “të turpshëm dhe me qëllim që të pengojë Vulinin të jetë në mesin e serb ëve të Kosovës e Metohisë”. Ata thonë se në këtë mënyrë është shkelur në mënyrë “më të vrazhdë” Marrëveshja e Brukselit për lëvizjen e lirë dhe i kanë bërë thirrje Bashkimit Europian të reagojë dhe të dënojë, siç janë shprehur, “sjelljen skandaloze të Prishtinës”.

Lëvizja e Socialistëve të Vulinit po ashtu e ka gjykuar “qyqare” kërcënimin me armë të Aleksandar Jabllanoviqit, kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, ndaj aktivistëve të Listës Serbe.

“Jemi të bindur se këto incidente do të trimërojnë edhe më shumë serbët e Kosovës e Metohisë që të luftojnë për të drejtat e veta. Populli ynë në Kosovë e Metohi mund të shpresojë vetëm në qeverinë e vet dhe në Listën Serbe që garanton se nuk do të formohet e ashtuquajtura Ushtri e Kosovës, që nuk do t’i shërbejë Prishtinës dhe Eamush Haradinajt”, thuhet në komunikatën që e përcjellin mediet e Beogradit.