SHPËRNDAJE

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në një deklaratë për gazetën e Serbisë “Blic” përsëriti se Qeveria e Shkupit asnjëherë nuk ka pasur as qëllim e as që ka dhënë udhëzime për kryerjen e ndonjë aktiviteti të inteligjencës kundër shteteve fqinje duke përfshirë edhe Serbinë, njofton Portalb.mk.

Para telefonatës së sotme të paralajmëruar me kryetarin e Serbisë Aleksander Vuçiq, Zaev tha se Qeveria e re është e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Pa përfundime të parakohshme të çfarëdollojshme e respektojmë dhe mbështesim thirrjen e Beogradit që t’i mbrojmë marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe Maqedonisë dhe të vendosim kod të standardizuar të sjelljes. Shpresoj se biseda e sotme me kryetarin e Serbisë Aleksander Vuçiq do t’i zgjidh të gjitha paqartësitë eventuale”, theksoi Zaev.

Qasja e vetme konstruktive për tejkalimin e problemeve, sipas tij, është hapur dialog për të gjitha çështjet dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

I pyetur se a ka bërë Qeveria e Maqedonisë marrëveshje me shqiptarët në dëm të interesit serb, Zaev ka thënë se këto janë lajme të rrejshme.

“Më lejoni të jem i qartë, në politikën tonë nuk ka strategji dhe politikë në dëm të Serbisë. Jemi të përkushtuar në mirëmbajtjen e punës së vazhdueshme për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale me Serbinë. Qasja jonë në politikën e jashtme bazohet në politikë me dyer të hapura, dialog direkt dhe vullnet të mirë që do t’i zgjidh problemet në vend se të krijojë të reja. Konsiderojmë se ajo është mënyra më efektive për ndërtimin e marrëdhënieve të mira, bashkëpunim dhe partneritet”, deklaroi Zaev.

Në lidhje më çështjen e Kosovës, kryeministri i Maqedonisë tha se Qeveria e Maqedonisë përpiqet të ndërtojë marrëdhënie shoqërore bazuar në respektimin e ndërsjellët dhe përforcimin e lidhjeve tregtare.