SHPËRNDAJE

Tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar se Zenun Pajaziti do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Gjilanit.

Vet Pajaziti e ka bërë të ditur këtë informacion me anë të një postimi në rrjetin social facebook.

“Të nderuar bashkqytetarë të Gjilanit, unë mbrëmë kam marr përgjegjësi dhe jam nderuar nga Kryesia e Degës së PDK-së në Gjilan e cila unanimisht ka vendosur që unë të jem kandidat për kryetar të Gjilanit. Kjo është një përgjegjësi që e kam pranuar menjëherë sepse kam dëshirë të shërbej dhe të jap kontributin tim direkt përmes qeverisjes lokale në qytetin tonë. Deri më 22 Tetor unë dhe ekipi i Partisë Demokratike do të jemi të angazhuar që të hartojmë platformën qeverisëse bashkë me qytetarët, nga bashkëbisedimet në secilën lagje të qytetit dhe në të gjitha fshatrat tona, në mënyrë që propozimet e qytetarëve të bëhen pjesë e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme”, ka shkruar Pajaziti në facebook.

Ai ka thënë se më 22 tetor do t’i vie fundi izolimi Gjilanit dhe Anamoravës.

“Me 22 tetor do t’i japim fund periudhes se izolimit të Gjilanit dhe Anamoravës. Qytetarët e Gjilanit nuk e kanë merituar këtë trajtim dhe nëpërkëmbje. Do të punoj pa u ndalur asnjë moment, që Gjilani dhe Anamorava të fuqizohen dhe zhvillohen sa më shumë sepse qytetarët tanë janë më punëtorët dhe kanë traditë të punës”, ka shkruar Zenun Pajaziti.

Për kryetar të Gjilanit, nga LDK-ja do të kandidojë Lutfi Haziri kurse nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi.