SHPËRNDAJE

Njohës të çështjeve politike e shohin pozitiv faktin se partitë kryesore do të maten të vetme.

Tri partitë më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë vendosur t’i futen garës në zgjedhjet e 6 tetorit veç e veç.

Vlerësohet se këto zgjedhje do t’i matin forcat reale të partive, mirëpo edhe do të kontribuojnë në rritjen e pazareve të tyre pas zgjedhjeve, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Partitë me numër më të madh të deputetëve në legjislaturën e kaluar, PDK-ja, LDK-ja e LVV-ja, kanë vendosur që në garën e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit t’i matin forcat e tyre si të vetme.

Ndonëse LDK-ja e LVV-ja kishin krijuar simpati për njëra-tjetrën gjatë kohës sa ishin në opozitë, një bashkëpunim parazgjedhor në mes tyre nuk ndodhi pas mosdarkodimeve të të dyja subjekteve lidhur me pozitën e kryeministrit.

Mirëpo ndryshe nga to, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) lidhën koalicionin e parë parazgjedhor, duke lënë kështu pas inatet që kishin me njëra-tjetrën ndër vite.

Menjëherë pas tyre u bashkuan edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate, krerët e të cilave theksuan se janë bashkuar për të krijuar boshtin e fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit.

Përfaqësuesit e tri partive, LDK-së, LVV-së dhe PDK-së, shprehen të bindur se vendimi për të hyrë të vetme në zgjedhje do t’u sjellë atyre më shumë vota nga qytetarët e për pasojë edhe do të dalin fitues nga këto zgjedhje.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike e shohin si pozitiv faktin se partitë do të maten të vetme, mirëpo ekziston rreziku që kjo gjë të kontribuojë në rritjen e pazareve të partive pas zgjedhjeve.