SHPËRNDAJE

Kryesia e Kosovës, me propozim të kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vendosur që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërbërjen e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka propozuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që seanca parlamentare për shpërndarjen e Parlamentit të mbahet më 22 gusht.

Të gjitha grupet parlamentare u pajtuan që seanca të mbahet më 22 gusht në mënyrë që deputetët të kenë kohë të kthehen dhe të jenë të gjithë prezent.

Sipas propozimit të Veselit me të cilin u pajtuan të gjitha partitë parlamentare, rruga më e drejtë dhe ligjore është që të gjitha partitë të mbledhin nënshkrimin e së paku 40 deputetëve për mocionin për mbajtjen e seancës për shpërndarjen e Parlamentit.

Veseli ka thënë në mbledhjen e Kryesisë se tash e sa ditë pa nevojë janë maltretuar qytetarët nga partitë politike nëpër studio televizive, ndërkohë që nga momenti i dorëheqjes së Qeverisë, menjëherë me 40 nënshkrime ka mundur të thirret seanca për shpërndarjen e Parlamentit dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“E kishim një takim shumë të mirë në të cilin patëm vendimmarrje koncensuale për të marrë disa vendime të cilat janë në interes qenësore për qytetarët e vendit tonë. I falënderoj të gjithë që iu përgjigjën pozitivisht ftesës sime për caktimin e shpërbërjes së Kuvendit e që automatikisht i takon presidentit që t’i hapë rrugë caktimit të datës së zgjedhjeve”, deklaroi Veseli.

Sipas tij, pas këtij vendimi janë qytetarët ata që do e caktojnë fatin e Kosovës përmes votës.

“E përsëris që qytetarët janë ata që caktojnë fatin e vendit. Zgjedhjet nuk janë vetëm opsion apo alternativë, por drejtim për zhvillimin e vendit tonë”, theksoi Veseli, i cili shtoi se ndjehet i sigurt se me këtë vendim, Kosova ka treguar dinjitet para qytetarëve.

Ai po ashtu bëri të ditur se pas 22 gushtit, presidentit Thaçi, ka kohë që maksimumi 45 ditë të caktojë datën e zgjedhjes.

“Tanimë ne e dimë datën kur do të shpërbëhet Kuvendi dhe tanimë edhe pse i takon presidentit, por përafërsisht e dimë se kur do të mbahen zgjedhjet, 30 maksimumi 45 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit”, deklaroi Veseli.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se tashmë është në dorën e presidentit, Hashim Thaçi, për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Ne u dakorduam të gjithë së bashku që Kuvendi duhet të shkojë në zgjedhje të rregullta të përgatitura mirë. Më 22 gusht në ora 10:00 të shpërbëhet Kuvendi dhe pastaj të zbatohen të gjitha procedurat kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Hoti.

Në anën tjetër, Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka thënë se, i takon presidentit që të caktojë datën e zgjedhjeve.

“Shpresojmë që brenda afateve kushtetuese, Presidenti të marrë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe të vazhdohen proceset e mbetura integruese”, deklaroi Krasniqi.

E Bilall Sherifi, shef i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, ka treguar se kur përafërsisht mund të mbahen zgjedhjet.

“Fundi i shtatorit, java e parë e tetorit i bie që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, deklaroi Sherifi.

Me propozim të kryeparlamentarit Veseli, në seancën për shpërndarje të Parlamentit, para se të votohet për shpërndarje, u vendos që deputetët të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare për fondet IPA, në mënyrë që Kosova mos të humbë asnjë mbështetje ndërkombëtare për fondet IPA.