SHPËRNDAJE

Tashmë gjithçka është e kryer. PAN’i ka arritur një marrëveshje koalicioni me AKR’në e Behgjet Pacollit.

Kjo marrëveshje që garanton numrat e nevojshëm për krijim të institucioneve të reja, u arrit në takimin e mbajtur para pak minutash në mes të Behgjet Pacollit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Arritja e marrëveshjes u bë pak orë pasi Pacolli u shkëput nga koalicioni me LAA.

Metro kishte raportuaar më herët për takimet në mes të PAN’it dhe AKR’së, por që në ato momente ende diskutoheshin detajet e marrëveshjes.

Pas marrëveshjes, i pari i PDK’së, Kadri Veseli, tha se kjo marrëveshje ia hap rrugët Kosovës, e të cilin e ka quajtur si lajm të mirë për qytetarët e Kosovë. Ai po ashtu bëri të ditur se brenda disa ditësh do të kryhet edhe procesi i krijimit të institucioneve.

Behgjet Pacolli marrëveshjen e cilësoi si një domosdoshmëri e cila, sipas tij, i jep rëndësi vullnetit të qytetarëve.

Më pas, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Pacollin, duke shtuar se bashkimi i AKR’së i jep vlerë më të madhe koalicionit.

Krejt në fund edhe partneri tjetër i koalicionit, Fatmir Limaj nga Nisma, tha se nga ky moment mund të llogaritet se është nisja e krijimit të institucioneve.