SHPËRNDAJE

Nga Fatri Morina*

Disa ditë më parë Komisioni Europian publikoi Raportin Eurydice ‘Modernizimi i Arsimit të Lartë në Europë: Stafi Akademik – 2017’, i cili pasqyron realitetet me të cilat ballafaqohet stafi akademik i arsimit të lartë në një kohë të ndryshimeve të shpejta dhe rritjes së kërkesës dhe pritshmërisë shoqërore. Raporti fokusohet te një sërë çështjesh kyçe të sistemit të arsimit të lartë, të cilat variojnë nga ndryshimet strukturore e deri te financimi i arsimit të lartë dhe ngritja e sistemeve të reja të sigurimit të cilësisë. Pavarësisht se raporti është bazuar në të dhënat e mbledhura nga 35 vende të ndryshme [Shqipëria nuk është përfshirë në këtë raport], duket se për të gjitha vendet emëruesi është i njëjtë: sfidat me të cilat stafi akademik duhet të përballet kanë ardhur në rritje. Stafi akademik është përgjegjës për mësimdhënien në grupe në rritje të studentëve dhe duhet të zhvillojë aktivitete të lidhura me kërkimin shkencor, duke shtuar në këtë mënyrë konkurrencën si brenda ashtu edhe jashtë sistemit ku ata bëjnë pjesë. Të gjitha këto sfida dëshmojnë gjithnjë e më shumë nevojën për rritjen dhe ruajtjen e standardeve dhe cilësisë në të gjithë veprimtarinë e arsimit të lartë.

Një ndër gjetjet kryesore të raportit lidhur me cilësinë është fakti se cilësia në mësimdhënie nuk mund të merret si e mirëqenë. Për këtë arsye është e domosdoshme që gjatë periudhës së studimeve të doktoraturës, kandidatët duhet të ndjekin trajnime të lidhura me mësimdhënien. Ky është target grupi kryesor, por pjesë e trajnimeve të vazhdueshme duhet të jenë edhe pjesa tjetër e stafit akademik, pasi trajnimet ndikojnë në rritjen e standardit dhe cilësisë në mësimdhënie.

Universiteti Europian i Tiranës tashmë e ka kthyer në traditë trajnimin e stafit akademik, trajnime të fokusuara si në mësimdhënien ashtu edhe në kërkimin shkencor, që janë dy komponentë të ndërvarur dhe njësoj të vlefshëm në funksion të rritjes dhe ruajtjes së standardeve bashkëkohore në arsimin e lartë.

Në raport theksohet nevoja për zgjerimin e objektivit të sistemeve të sigurimit të cilësisë. Në një kohë kur fokusi kryesor është mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, në raport argumentohet domosdoshmëria e rritjes së vëmendjes ndaj çështjeve që lidhen me menaxhimin e burimeve njerëzore, nga procedurat e rekrutimit dhe deri te praktikat e promovimit, pasi këto elemente shihen si të lidhura ngushtësisht me cilësinë e arsimit të lartë.

Cilësia është kthyer në kryefjalën e arsimit të lartë në periudhën bashkëkohore, por aplikimi i saj varet ndjeshëm nga konteksti socio-kulturor dhe tradita e secilit vend apo institucion. Ekzistenca e një njësie specifike brenda çdo institucioni të arsimit të lartë është një detyrim ligjor, por ajo që vlen për t’u theksuar, është fakti se sigurimi i cilësisë nuk është një detyrë e veçantë që i takon një njësie të vetme, por është një qëllim ,i cili arrihet vetëm nëpërmjet ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve që veprojnë brenda sistemit të arsimit të lartë. Sigurimi i cilësisë nuk nënkupton vetëm zbatimin e standardeve, por edhe krijimin e një kulture të cilësisë, e cila duhet të pasqyrohet në të gjithë veprimtarinë e institucioneve dhe aktorëve të sistemit të arsimit të lartë.

Në funksion të përmbushjes së këtij qëllimi, në strukturën e Universitetit Europian të Tiranës, ekziston një njësi e veçantë për garantimin e sigurimit të brendshëm të cilësisë, e cila vlerëson periodikisht rezultatet e veprimtarive mësimore dhe kërkimore-shkencore të Universitetit. Garantimi i sigurimit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë nuk mund të arrihet pa bashkëpunimin me institucione të tjera vendase dhe të huaja. Për këtë qëllim, Universiteti Europian i Tiranës është përfshirë në disa projekte, objektivi kryesor i të cilave është garantimi i cilësisë në arsimin e lartë. Ndër më kryesorët mund të përmendim projektin ENCHASE dhe projektin QAinAL.

Projekti Tempus ‘Përforcimi i sistemit të sigurimit të cilësisë së brendshme në arsimin e lartë në Shqipëri: Aplikimi i metodologjisë të bazuar kah procesit dhe rezultateve (ENCHASE)’ ka si qëllim zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të sigurimit të cilësisë së brendshme në universitetet shqiptare, përmes përforcimit të një kuadri kombëtar të sigurimit të cilësisë, sipas standardeve europiane në arsimin e lartë. Projekti synon zhvillimin e kapaciteteve të stafit akademik, administrativ dhe të studentëve lidhur me sigurimin e cilësisë së brendshme në universitet. Projekti udhëhiqet nga Universiteti Koblenz-Landau në Gjermani dhe përqendrohet enkas në sistemin e lartë në Shqipëri, duke përfshirë institucionet kryesore të arsimit të lartë si dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Projekti përfshin një sërë aktivitetesh për analizën e situatës aktuale të sigurimit të cilësisë së brendshme në universitet, mënyra të harmonizimit me standardet europiane për sigurimin e cilësisë, si edhe trajnime për stafin akademik dhe studentët në këtë drejtim.

Ndërsa projekti Erasmus+ QAinAL- “Ngritja e kapaciteteve për sigurimin e cilësisë në institucionet private të Arsimit të Lartë në Shqipëri” ka si qëllim ngritjen dhe mbështetjen e proceseve të vlerësimit të cilësisë, mekanizmave që sigurojnë menaxhimin efektiv, si edhe përforcimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies në institucionet private të edukimit të lartë në Shqipëri. Projekti synon të mbështesë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri në arritjen e prioriteteve të dy dokumenteve kryesore: “Rritja e impaktit të Zhvillimit të BE-së: një Agjendë për Ndryshim” dhe “Edukimi i Lartë Europian në Botë”.

Përfshirja e UET në projekte të tilla ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e standardeve të cilësisë, metodologjive dhe praktikave të ndjekura për përmbushjen e këtij qëllimi. Trajnimet e zhvilluara, vizitat studimore në institucionet partnere dhe workshop-et kanë ndikuar në trajtimin e disa nga çështjeve më të rëndësishme të lidhura me sigurimin e brendshëm të cilësisë. Shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave më të mira, sikurse dhe aplikimi i instrumenteve dhe metodologjive bashkëkohore, janë elementet të rëndësishme në funksion të arritjes së qëllimit kryesor: vendosjes, ruajtjes dhe forcimit të standardeve të cilësisë, e cila përbën jo vetëm kryefjalën në sistemin bashkëkohor të arsimit të lartë, por do të shërbejë dhe si element përafrues dhe integrues në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë.

*Pedagog, UET