SHPËRNDAJE

Është e arsyeshme të themi që pjesëmarrja politike e femrave është ende një problem global. Derisa disa shoqëri demokratike e kanë zbutur problemin deri në një masë të caktuar, femrat janë kryesisht të nënpërfaqësuara. Siç është dokumentuar nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2016 vetëm 22.8% e të gjithë parlamentarëve botërorë ishin femra. Ky artikull do të shqyrtojë femrat e nënpërfaqësuara në politikë në kontekstin kosovar dhe po ashtu do të analizojë efektin e kufizuar të instrumenteve ligjore në këtë çështje. Ne do të argumentojmë se instrumentet ligjore kanë pasur vetëm një efekt të kufizuar, pasi faktorë të tjerë kanë ndikuar në përfaqësimin e femrave në Kosovë.

Kuotat e detyrueshme (mandatore) si një mjet për forcimin e pjesëmarrjes politike të femrave janë shpërndarë nëpër botë, por sipas shumë autorëve ato nuk kanë ndryshuar ndjeshëm praktikat politike duke e bërë efektivitetin e tyre disi joadekuat. Në vitin 2000, Kosova miratoi kuotat me ligj prej 30% në nivel lokal dhe kombëtar. Këto kuota aplikohen për vendet në parlament dhe listat e partive. Ky ligj u prezantua nga misioni i OKB-së, UNMIK dhe u vlerësua kryesisht pozitivisht kryesisht nga femrat por u kritikua nga deputetët e BE-së dhe meshkujt e parlamentit të Kosovës.

Megjithatë, si në shumë vende të tjera, kuotat e detyrueshme ndikuan vetëm pjesërisht në femrat politikane të Kosovës. Për shembull, femrat përbënin 32.5% të numrit të deputetëve në legjislaturën e fundit të Kosovës, por në qeverinë e fundit të vendit vetëm 8% e totalit ishin femra. Këta numra tregojnë se kuotat e detyrueshme kanë një efekt të kufizuar jashtë fushëveprimit të tyre (p.sh. përfaqësimi parlamentar) dhe se në vende të caktuara të botës partitë mund të zgjedhin që në mënyrë të njëanshme të përfshijnë më shumë gra në qeveritë e tyre. Në kontekstin e Ballkanit, Bullgaria dhe Rumania mbeten dy raste të kësaj natyre në të cilat nuk ka kuota të rregulluara me ligj dhe ku femrat janë më të përfaqësuara në qeveri se sa në parlament.

Në vitin 2015 Kosova miratoi “Ligjin për Barazinë Gjinore” (LBGJ), i cili u hartua për të “garantuar, mbrojtur dhe promovuar barazinë mes gjinive”. Përfaqësimi i pabarabartë gjinor është definuar këtu: “kur përfaqësimi i një gjinie është më pak se 50 për qind në çdo nivel të organeve vendimmarrëse politike dhe publike.” Kuotat e detyrueshme nuk janë në pajtueshmëri me këtë ligj sepse ato kërkojnë vetëm 30% të kandidatëve në listat e partive të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Një raport nga Kosovo Gender Studies (KSG) tregoi se as institucionet qendrore dhe as ato lokale nuk po respektojnë LBGJ-në. Për shembull, në vitin 2015 gratë përfaqësonin 40.6 të të punësuarve në zyrën e kryeministrit dhe të ministrive dhe në nivelin komunal vetëm 28% e totalit ishin femra. Për më tepër, femrat kanë mbajtur vetëm 5.2% të pozitave të larta në nivelin qendror (3 nga 58) dhe 10.1% në nivelin komunal (32 nga 315). Në 14 komuna, femrat nuk kanë patur fare ndonjë pozitë udhëheqëse.

 

Faktorë të ndryshëm duket se pengojnë pjesëmarrjen politike të femrave në Kosovë dhe rrjedhimisht ulin rëndësinë e instrumenteve ligjore siç janë kuotat e detyrueshme dhe ligji mbi barazinë gjinore. Sipas një studimi krahasues të kohëve të fundit lidhur me përfaqësimin politik të femrave në politikë në Evropën Jugore, kuotat e detyrueshme janë ndikuar kryesisht nga e kaluara kulturore dhe historike e një vendi.

Raporti nga KSG përmend mentalitetin dhe klientelizmin e partive si pengues të rolit të femrave në politikë. Shoqëria në Kosovë karakterizohet nga elemente patriarkale dhe këto barriera tradicionale dhe kulturore që minojnë potencialin e grave në politikë kanë qenë shumë të rëndësishme në formësimin e këtij mentaliteti. Pengesa të tjera të zakonshme në nivel global që përmenden nga OKB-ja janë mungesa e burimeve financiare, përgjegjësitë më të mëdha familjare dhe nganjëherë shfaqja e disa elitave të cilat përgjithësisht kontrollohen nga burrat. Për fat të keq, burrat dominojnë të gjitha partitë e rëndësishme politike në Kosovë. Në lidhje me barrierat ekonomike të grave në Kosovë, mund të përmendim se sipas një anketimi të fuqisë punëtore të kryer në vitin 2015, vetëm 11.5% e femrave të moshës së punës ishin të punësuara ndërsa për burrat numri ishte 38%. Është mjaft e qartë se femrave duhet të ju ofrohet së pari mjedisi i nevojshëm për ta kontribuar në mënyrë efektive në politikë dhe kushtet e lartpërmendura nuk janë duke ndihmuar në situatën aktuale.                                                             Femrat janë një pjesë vitale e çdo shoqërie. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për rolin e tyre në politikë. Studimet kanë treguar se rritja e përfaqësimit të femrave në politikën globale çon në përfitime më të mëdha ekonomike, bashkëpunim më të madh përgjatë linjave partiake dhe zgjidhje më të qëndrueshme të konflikteve. Ky efekt pozitiv duhet të jetë i zbatueshëm edhe në Kosovë. Në rrethana të tilla duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që përpjekjet ligjore të plotësohen me përparim më të madh në realitetin e përditshëm politik dhe social të femrave në Kosovë. Ky është një objektiv vërtet i rëndësishëm nëse shteti i Kosovës aspiron t’u bashkohet  demokracive të mirëfillta liberale.

Autorë:

Rrezart Dema ka diplomuar në Shkenca Politike në Utica College, SHBA. Është asistent në mësime dhe hulumtime në Kolegjin Universum.

Aldisa Morina ka kompletuar studimet Bachelor në drejtimin Shkenca Politike në Kolegjin Universum dhe është kandidate për Asamblenë Komunale të Pejës.