SHPËRNDAJE

“Në fund do të mbetet vetëm një”. Kjo ishte fraza e Juan Sanchez Villa-Lobos Ramirez dhe Kurgan, të interpretuar në mënyrë mjeshtërore nga Sean Connery dhe Clancy Brown në filimin e famshëm “Highlander”.

Profecia, lufta e të pavdekshmëve për mbijetesë dhe konfirmim. Një histori që mund të thuhet se ndodh çdo ditë në jetën reale dhe në futboll, mes shokëve të skuadrës.

Lufta kthehet në garë mes kolegëve të një reparti, teksa çmimi është fanella e titullarit. Shpesh hierarkitë ndryshojnë, ashtu si interpretuesit, teksa klubet shpenzojnë miliona në merkato për të gjetur talentin e radhës.

Por ka nga ata që e kanë kthyer mbijetesën në një superfuqi të vërtetë, duke eliminuar një nga një të gjithë kundërshtarët që kanë pasur përballë ndër vite: Karim Benzema, prej tetë vitesh me Cristiano Ronaldo, është një nga pikat e palëvizshme të Real Madrid dhe lista e “viktimave” të tij është prestigjioze.

Kur “Los Blancos” e kanë marrë nga Lyon në 2009-ën, plani ishte i qartë: të merrej një lojtar që do të mund të zëvendësonte me kalimin e kohës dy simbole si Raul dhe Van Nistelrooy.

Misioni është realizuar me sukses në një kohë shumë të shkurtër. Që në janar holandezi ka qenë i detyruar të ndërrojë ekip, ndërsa në fund të atij sezoni ka ardhur lamtumira e kapitenit legjendar.

Dy kolosë të shkërmoqur, por të njëjtin fat kanë pasur edhe ata që kanë ardhur pas tyre dhe që kanë provuar ta sfidojnë. Blerjet e reja si Adebayor dhe “Chicharito” Hernandez, ose ata që ishin pjesë e ekipit për një kohë më të gjatë, si Gonzalo Higuain.

Largimi i Raul dhe Van Nistelrooy dukej se i kishte hapur më në fund rrugën “El Pipita”-s, i cili është lënë në hije nga Benzema.

Të fundit që janë “eliminuar” nga francezi kanë qenë Alvaro Morata dhe Mariano Diaz. I pari ka shkuar te Chelsea i Antonio Conte-s, ndërsa i dyti ka përfunduar pikërisht te Lyon i Benzema.

Aftësia e Karim për të luajtur edhe në krahët e sulmit ka qenë fatale edhe për një lojtar si Jese Rodriguez, i cili është larguar edhe pse konsiderohej shumë premtues.

Karim është pothuajse i paprekshëm falë aftësisë së tij për t’u përshtatur me lojën e yllit CR7, gjithmonë i favorizuar nga lëvizjet e tij dhe nga puna e “pisët” që bën në mbulim.

Më pas është edhe marrëdhënia e veçantë me presidentin Florentino Prez, tifozi i tij i parë dhe që për të ka refuzuar shumë oferta të rëndësishme. Kështu, duket e pamundur që dikush të marrë vendin e Benzema, por tani ka dalë në skenë një pretendent i ri.

Sipas shtypit madrilen, Real ka arritur një marrëveshje në parim me Monaco mbi bazën e 180 milionë eurove për Kylian Mbappe, i cili mund të jetë “Galaktiku” i ri i Florentino Perez.

A do të jetë pikërisht një adoleshent francez që do t’i japë fund “Highlander”-it Benzema? Të presim dhe të shohim. Edhe pse “Në fund do të mbetet vetëm një”. (Telesport)