SHPËRNDAJE

Ndeshja e parë në Kinë e International Champions Cup, turneut të superndeshjeve të verës që transmetohet drejtpërsëdrejti në SuperSport filloi me një leksion për Milanin, mbret të shpenzimeve të merkatos në Itali. Kina është pranë, por elita e Championsit është ende larg, edhe pse shumica e 15 mijë tifozëve kinezë në stadium ishin kuqezinj, Milani u mund 3-1 nga Borussia e Dortmundit, në një ndeshje që tregoi se kuqezinjve ju duhet organizim dhe durim për tu rikthyer të mëdhenj. Protagonist me një dygolësh Aubamyeang, pikërisht sulmuesi që është aluduar se mund të jetë qershia mbi tortë e merkatos kuqezi.

Borussia kalon në avantazh me Sahin në minutën e 17 në një goditje ku Storari nuk është se ishte pafaj, pasi topi ishte në shtyllën e tij dhe numri 30 i Milanit reagoi me shumë vonesë. Vetëm dy minuta më vonë Paletta rrëzoi Pulisic në zonë dhe për arbitrin nuk kishte dyshime, penallti. Nga pika e bardhë Aumbameyang dyfishoi avantazhin e verdhezinjve.

Milani shkurtoi distancat me Carlos Bacca-n i cili u tregua i zoti dhe me fat në një aksion personal ku kaloi dy kundërshtarë dhe ndëshkoi Weidenfeller me të djathtë.

Në pjesën e dytë ishte sërish Aumbayemang ai që u vuri vulën duke finalizuar para Storrarit pas një kundërsulmi perfekt të Castro e Pulisic.

Përfundoi në këtë mënyrë 3-1, me Milanuin që ka ende shumë punë për të bërë, ndërkohë që i duhet të jetë gati për paraeleminatoret e Europa League të enjten e javës tjetër.