SHPËRNDAJE

Danilo Alvesh ka vendosur që të largohet ngta Flamurtari dhe nga Shqipëria. Braziliani ka bërë një deklaratë, ku sqaron gjithçka në lidhje me të, madje zbulon se edhe po kërcënohet, ndaj po punon me avokatët e tij dhe ambasadën braziliane për të zgjidhur problemet që ka pasur në Vlorë.

“Kohët e fundit shumë njerëz më kanë kontaktuar për të më pyetur për situatën time profesionale, madje edhe gjatë pushimeve. Vendosa të shkruaj këtë mesazh të shkurtër për t’ua bërë të gjithëve të qartë mbi atë çfarë po ndodh me mua realisht.

Sapo kam përfunduar një sezon të vështirë, ku jam përballur me situata të këqija. Nuk jam i lumtur me situatën. Njerëzit flasin për mua, por harrojnë 25 burra të tjerë që punojnë fort dhe meritojnë respekt dhe vëmendje.

Nuk është koha për të folur për Danilo Alvesh, por koha për të zgjidhur situatën me të gjithë lojtarët, të cilët dhanë gjithçka këtë sezon për të shpëtuar Flamurtarin nga rënia. Shokët e mi të skuadrës janë baballarë, disa prej tyre. Ata janë djem që punojnë fort për të realizuar qëllimet e tyre në jetë dhe kanë ëndrra… shohin çdo ditë për një të ardhme më të mirë për ta, gjithashtu dhe për fëmijët dhe familjet e tyre.

Ju lutem, ndaloni së shqetësuari për faktin se ku do shkoj unë, por shqetësohuni për shokët e mi të skuadrës, ata kanë me të vërtetë nevojë për një zgjidhje. Respekt për njerëzit në Vlorë dhe mbështetësit e Flamurtarit. Ata kanë qenë të mirë dhe gjithmonë na kanë mbështetur ne. Ata meritojnë respekt. Pjesa tjetër duhet fshirë, unë nuk kam menaxher.
Unë nuk kam menaxher brazilian, as agjent italian. Nuk kam nevojë që dikush të flasë për mua. Njerëzit mundohen të shfrytëzojnë këto momente dhe nëse ka njerëz që thonë se janë menaxherët e mi, ata po gënjejnë. Doja thjesht të bëja një sqarim mbi faktet, sepse po punoj me ambasadën dhe me avokatët e mi në Brazil, mbi kërcënimet që kam marrë gjatë dy javëve të fundit.

Dua që një ditë Shqipëria të jetë e lirë nga disa njerëz që nuk ndihmojnë në zhvillimin e futbollit dhe nga disa njerëz që e bëjnë emrin e Shqipërisë jo të mirë për pjesën tjetër të botës. Shpresoj që një ditë të jetë një Shqipëri më e mirë. Unë gjithmonë do ju kem në zemrën time. Shokët e mi, unë gjithmonë do t’iu respektoj ju, edhe pse me gjithë situatat që kemi kaluar, ju të gjithë dhatë maksimumin.

Mbështetësit e Flamurtarit, faleminderit për gjithçka! Nëse qëndrova atje dhe luftova me gjithë pasionin tim, ishte për ju. Nuk mund të jem më i ndershëm se kaq. E di që njerëzit do më gjykojnë dhe do krijojnë opinionin e tyre. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Një ditë shpresoj ta vizitoj Shqipërië dhe të shoh se gjithçka ka ndryshuar”.