SHPËRNDAJE

Flamurtari zyrtarizon zgjatjen e marrëveshjes me Tomislav Busic. Sulmuesi do të jetë pjesë e skuadrës vlonjate edhe për sezonin e ardhshëm pasi hodhi firmën në rinovimin e kontratës për një vit me Flamurtarin. Sezonin e kaluar kroati shënoi 10 gola në kampionat si dhe dha edhe 7 asiste duke rezultuar një ndër lojtarët më të rëndësishëm për skuadrën vlonjate dhe tanimë blindohet nën urdhërat e Shpëtim Duros edhe për sezonin e ardhshëm. Te Flamurtari mbetet në dilemë ndërkohë e ardhmja e Danilo Alves, me cështjen mes tij dhe klubit që ka përfunduar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Braziliani ju pëlqen disa skuadrave në Kategorinë Superiore, vecanërisht Skënderbeut që i duhet të presë nëse Danilo do të mund të lirohet nga kontrata me Flamurtarin për tu hedhur në sulm. Skuadra vlonjate ka qenë më aktivja në këtë sesion të merkatos ku ka afruar plot 12 futbollistë për të plotësuar organikën në dispozicion të trajnerit. Te Flamurtari janë afruar këtë verë Ditmar Bicaj, Ardit Hoxhaj, Nurkovic, Goran Siljanovski, Emiljano Musta, Muhamed Useini, Viktor Juffo, Sidibe, Camara dhe së fundmi edhe Artim Pollozhani. Ky është i disati sezon që skuadra pëson ndyrshime rrënjësore në organikë në kërkim të ndërtimit të një grupi të denjë për të luftuar për objektiva madhorë, ndërkohë që detyrimet e prapambetura të së kaluarës mbeten problematike për të ardhmen e klubit.