SHPËRNDAJE

Fundjavën që lamë pas, ka nisur edhe zyrtarisht kampionati i ri në futsal.

E qysh në xhiron e parë, janë arritur rezultate të papritur me shumë gola, duke treguar kështu që na pret një edicion i paparashikueshëm.

Me synime të qarta e ka nisur edhe skuadra kampione e sezonit të kaluar, FC Mabetex Prishtina.

Ekipi kryeqytetas, ani pse në kohë pandemia, ka kohë që ka nisur përgatitjet, duke treguar se me ngulm kërkon  ta mbrojë titullin.

Për fillimin e edicionit të ri, për garën në Champions League, konkurrencën e fortë, e për përforcimet e reja, për GazetënDirekt, ka folur, kapiteni i FC Prishtinës, Jeton Rukovci.

“Përgatitjet me ekipin i kemi filluar tash e dy muaj për shkak të garave të Uefa Futsal Champions Leage, e ku rrethi i parë parakualifikues do të zhvillohet në fund të muajit të ardhshëm.

“Tashme ka filluar edhe kampionati vendor. E kemi nisur mbarë, me fitore në xhiron e parë dhe shpresojmë që do të vazhdojë me këtë ritëm.

“Natyrisht synimet tona janë mbrojtja e titullit të kampionit, fitimi i kupës dhe paraqitja sa me e mirë në garat e Champions League”

“Klubi ka bërë disa ndryshime në ekip nga sezoni i kaluar, por me afrimet e reja besojmë se kemi krijuar një grup të fortë garues dhe përforcimet e reja janë përshtatur shpejtë me pjesën tjetër të grupit. Atmosfera është shumë e mirë.

“ Jemi të vetëdijshëm se do të jetë e vështirë të mbrohet titulli. Duke e ditur edhe kualitetin e ekipeve konkurrente sivjet siç janë, FC Liburn, FC Prishtina 01 dhe FC Liqeni. Shpresojmë që të jetë një kampionat edhe me interesant sivjet dhe me vonë të hapen edhe palestrat për  tifozët që  gjithmonë i mbushin ato në ndeshjet derbi dhe play-off”, ka përfunduar Rukovci.

Në ndeshjen e parë FC Mabetex Prishtina,  mposhti  thellë ekipin e Malishevës me rezultat, 10-4./GazetaDirekt/