SHPËRNDAJE

Pas fitores ndaj Norvegjisë (3:2), përfaqësuesja U21 e Kosovës synon ta befasoj edhe Gjermaninë

Përfaqësuesja e Kosovës U21 do të përballet me përfaqësueses e Gjermanisë, sonte nga ora 19:00, në Osnabruck, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019.

Trajneri i ekipit kosovar, Rafet Prekazi e pranon se Gjermania është favorite në këtë takim. Por, ai shpreson që t’i befasoj edhe gjermanët.

“Gjermania është favorite dhe kjo nuk diskutohet. Problemet që kemi pasur me lëndime dhe me zhvillimin e dy ndeshjeve brenda një kohe kaq të shkurtë natyrisht se na shkaktojnë telashe dhe nuk e di sa do t’ia arrijmë qëllimit që ta mbajmë atë ritëm që patëm në ndeshjen kundër Norvegjisë, por për një gjë jam i sigurt se këta djem do ta japin mbi 100 për qindëshin e tyre në fushën e gjelbër”, ka deklaruar Prekazi.

Nga tri ndeshje të zhvilluara deri më tani Kosova ka gjashtë pikë dhe është e para në Grup 5, pjesë e së cilës janë edhe Gjermania, Norvegjia, Irlanda, Azerbajxhani dhe Izraeli.