SHPËRNDAJE

Trajneri i Manchester City, Josep Pep Guardiola, me deklaratat e tij paralajmëroi se klubi i tij nuk ka hequr dorë nga sjellja e Kylian Mbappe, sulmuesin e Monaco-s, ndonëse mediat botërore dje transmetuan lajmin se Real Madridi ka dakorduar të gjitha detajet e transferimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat shkruanin se gjoja klubi madrilien është dakorduar me Monacon që për 180 milionë euro të sjellë Mbappe, i cili gjatë tërë vitit lidhet me Manchester City. Por, Guardiola la të kuptohet se kjo nuk është punë e kryer.

“Ai ende është lojtar i Monaco-s, ku edhe më tej është në ekipin e tij. Gjithçka mund të ndodhë. Ne shikojmë edhe lojtarë tjerë, por Mbappe ende është në ekipin e tij. Real Madridi nuk ka më shumë para se sa Manchester City”, tha Guardiola.

Sipas tij, ka shumë ekipe që janë në Ligën e Kampionëve dhe në Premier Ligë. “Lojtarët gjithmonë janë të rëndësishëm dhe gjithmonë tentojmë të marrim lojtarët më të mirë të mundshëm. Abu Dhabi ka ardhur dhe ka investuar në ekip dhe gjatë viteve të kaluara jemi ngjitur në maje”, tha Guardiola.