SHPËRNDAJE

Shkodran Mustafi nuk e ka filluar mirë aventurën e tij të re në La Liga të Spanjës. Mbrojtësi shqiptar para pak javësh iu bashkua Levantes si lojtar i lirë, por ai ende nuk ka shijuar fitore me këtë skuadër.

Në debutim me Levanten e kishte nxjerr një barazim prej 1:1 me Elchen. Kurse, në ndeshjen e tij të dytë me këtë ekip humbi me rezultat 2:0 nga Celta Vigo.

Mustafi luajti gjatë gjithë ndeshjes ndaj Celtas dhe pas lojës e pranoi se gabimet në mbrojtje i kushtuan me humbje Levantes në xhiron e gjashtë të kampionatit spanjoll.

Madje, Mustafi e ka kontestuar edhe trajnerin, duke thënë se sistemi lojës me pesë mbrojtës mund t’i kushtojë Levantes.

“Dy gabime në mbrojtje na kushtuan me humbje pasi Celta dominoi me posedim të topit. Megjithatë, ne nuk i lejuam shumë hapësirë dhe kjo është diçka e mirë. Ne e kishim problem të shkonim te porta e kundërshtarit për shkak të vendosjes sonë në fushë. Nuk ishim shumë të rrezikshëm sepse ishim shumë larg portës së Cetlas, të fokusuar në mbrojtje”, ka thënë Mustafi për uebfaqen zyrtare të klubit.

Mustafi konfirmoi se ende nuk është në formën e tij më të mirë, por shpreson të jetë gati për duelin e radhës.

Ndeshjen e radhës Levante e zhvillon të dielën në “Camp Nou” si mysafire e Barcelonës.

“Tani është koha të punojmë më shumë në stërvitje dhe të jemi gati për ndeshjen e radhës. Do të jetë në përballje e vështirë në udhëtim te Barcelona, por edhe ata kanë probleme dhe ne do të shkojmë me synimin për të marrë tri pikët nga kjo ndeshje”, ka potencuar Mustafi, raporton GE.

Mbrojtësi me shtetësi gjermane me klubin spanjoll ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2023, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Para Levantes, Mustafi ka bërë karrierë edhe te Schalke, Arsenali, Valencia e Sampdoria.