SHPËRNDAJE

Plot 3 vjet pas suksesit të fundit, Rafael Nadal rishkruan historinë e “Roland Garros”, duke e fituar për të 10-n herë në karrierë këtë turne, që konsiderohet si më i vështiri dhe masakruesi ndër 4 turnetë e mëdhenj “Grand Slam”.

Një fitore që e bën edhe më madhështore figurën e tenistit nga Majorka, që në 8 javë arriti të bëjë të tijën një “tripletë” të veçantë: atë të shifrës së 10 fitoreve të një turneu; në Montekarlo, Barcelonë dhe së fundi në Paris. Arritja më e madhe është pikërisht suksesi në kryeqytetin francez, me Nadal që e fitoi pa humbur asnjë set, duke përsëritur rezultatet e arritura në vitet 2008 dhe 2010.

Në vitin 2005, Nadal, vetëm 19 vjeçarë në atë kohë, shënoi emrin në historinë e “Roland Garros”, si tenisti më i ri që e fitonte këtë kompeticion, ndërsa tani ai u bë tenisti i shtatë më i vjetër që triumfon në Paris. Në këto 12 vjet, Rafael Nadal ka mundur të fitojë 15 tituj “Grand Slam” dhe tani është vetëm 3 tituj larg Roger Federer, me zviceranin që fitoi në janar titullin e 18 “Grand Slam” në “Australian Open”, duke mundur në finale pikërisht Nadalin.

Të dy këta tenistë do të synojnë fitoren në “Wimbledon”, një sukses që për Nadal do të marrë një vlerë të dyfishtë, pasi në rast trumfi në Londër, spanjolli do të zbresë Andy Murray nga froni i numrit 1 në renditjen “ATP”.Një mision mëse i mundur për 31-vjeçarin, i cili është ngjitur në vendin e dytë me vetëm 2.605 pikë më pak sesa britaniku, i cili që nga ky moment e deri në “Wimbledon” duhet të mbrojë 2.500 pikë.