SHPËRNDAJE

Futbollisti portugez i Real Madrid, Cristiano Ronaldo u paraqit në një gjykatë në kryeqytetin spanjoll, ku u mor në pyetje rreth akuzave të ngritura kundër tij, për evazion fiskal me 14.7 milionë euro.

Ronaldos iu kërkua të shpjegojë rreth strukturave fiskale mes Irlandës dhe Ishujve Virgin, për të cilat futbollisti tha se ekzistonin qëkur vishte fanellën e Manchester United, para vitit 2009, dhe se ishin krijuar me kërkesë të ligjorëve të klubit anglez, që në këtë pikë mund të merren në pyetje.

Sipas prokurorëve spanjollë, këto struktura i kanë lejuar futbollistit t’i fshehë zyrës së taksave fitimet e përftuara në Spanjë, të ardhura nga të drejtat e imazhit, nga 2011-2014. Në bazë të kësaj shifre, mund të kërkohet një dënim minimal 7 vjet burg për Ronaldon.

Sapo hyri në sallë, Ronaldo menjëherë iu drejtua gjyqtares duke thënë: “Ndodhem këtu vetëm sepse më quajnë Cristiano Ronaldo”. Dhe përgjigjja që mori ishte: “Si ti janë ulur shumë të tjerë në atë karrige. Rri i qetë”.

“Nuk kam fshehur asgjë dhe nuk pasur asnjëherë ndër mend të shmangë taksat”, – deklaroi Ronaldo, pas seancës gjyqësore, nëpërmjet një letre të lexuar nga avokati i tij.