SHPËRNDAJE

Loret Sadiku së shpejti mund të luaj përsëri me Përfaqësuesen e Kosovës.

Mbrojtësi shtatlartë ishte ndaluar nga FIFA për të luajtur pas pranimit me drejta të plota të Kosovës në shtëpinë më të madhe evropiane UEFA dhe asaj botërore.

Ka qenë trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku që ka gjetur një rast të ngjashëm me atë të Loret Sadikut.

Është sulmuesi serb, Aleksander Prijovic, që ka luajtur fillimisht për grupmoshat e Serbisë U17, U18, U19, ndërsa për U20 dhe U21 ka luajtur për Zvicrën.

Edhe pse iu kishte refuzuar njëherë leja nga FIFA, në fund ai ka marrë lejen dhe tani ka debutuar me Kombëtaren serbe në moshën 27-vjeçare.

Telegrafi ka kontaktuar trajnerin e Kosovës, Albert Bunjaku i cili e ka konfirmuar lajmin.

“Po është e vërtetë që kam biseduar me përfaqësuesin ligjor të Sadikut i cili ka filluar procedurat e ankesës në FIFA”.

“Jam i bindur që në shtator Loreti do të jetë me Kosovën pasi është ndër lojtarët kryesorë për ne”, ka deklaruar Bunjaku për Telegrafin.

“Rasti i Sadikut me atë të sulmuesit serb është i ngjashëm dhe besoj se do të marrim përgjigje pozitive”, tha Bunjaku.

Sadiku ka debutuar me Kosovën në ndeshjen e parë miqësore ndaj Haitit duke bërë për vete tifozët kosovarë.

Prishtinasi ka luajtur për Përfaqësuesen e Suedisë U21, ndërsa më vonë kishte zgjedhur Shqipërinë.

Ai kishte qenë i grumbulluar në dyndeshje me Shqipërinë, atë ndaj Norvegjisë dhe Zvicrës të zhvilluara në ‘Qemajl Stafa’, por pa pasur mundësinë të debutoj.

25-vjeçari ishte futbollisti më i mirë në Kasimpasa në vitin e fundit, duke zhvilluar 25 takime.

Sadiku pritet të jetë pjesë e listës së futbollistëve në dy ndeshjet e ardhshme ndaj Kroacisë dhe Finlandës në muajin shtator.

Ky është një lajm i madh për tifozët e Kosovës, pasi Sadiku shihet si zgjidhja e problemeve në repartin defensivë.