SHPËRNDAJE

KF Llapi, ditë më parë ka zbarkuar në Turqi, ku fazën e dytë të përgatitjeve është duke e zhvilluar në Antalya.

Ekipi i trajnerit, Tahir Batatina, është mobilizuar dhe po punon shumë që në edicionin pranveror të startojnë sa më mirë.

Përveç stërvitjeve, llapjanët kanë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore ku kanë arritur rezultate pozitive, që dëshmon se forma e tyre është në nivel.

Për ecurinë e stërvitjeve dhe atmosferën në klub, nga radhët e Llapit, për GazetënDirekt, ka folur futbollisti, Edon Sadriu.

“Ecuria e stërvitjeve dhe e ndeshjeve miqësore po ecën shumë mirë. Kemi marrë rezultate pozitive po ashtu dhe përgatitjet janë duke shkuar sipas programit dhe si skuadër jemi të mobilizuar, e vlen të ceket se mbizotëron një atmosferë e mirë”, ka thënë fillimisht Sadriu.

Sezonin vjeshtor, Llapi nuk kishte rezultate të kënaqshme, duke u radhitur në pozitën e tetë. Kjo ecuri synohet të ndryshohet në sezonin pranveror. Madje, “Legjendat” po shpresojnë që përmes Kupës të dalin në Evropë.

“Llapi në edicionin pranveror synon që përmes Kupës të dalë në Evropë. Po përgatitemi në maksimum që po ashtu dhe në kampionat të pozicionohemi sa me lartë”, ka përfunduar Sadriu.

Skuadra e Llapit për ndeshjen e 1/8 së Kupës së Kosovës e pret nënkampionin vjeshtor, Ballkanin në stadiumin “Zahir Pajaziti./GazetaDirekt/