SHPËRNDAJE

Përkundër rezultateve jo të mira këtë edicion,klubi i futbollit Besa, nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

Ekipi pejan këtë xhiro do ta ketë një përballje të vështirë pasi në terren të vetë pret kampionin në fuqi, Drita.

Mesfushori i Besës, Donart Sheqerolli, në një prononcim për GazetënDirekt, ka treguar se shkaktar për mungesën e rezultateve të mira ka qenë mospërvoja, pasi skuadra pejane ka në përbërje lojtarë kryesisht të rinj.

“Shkak i rezultateve jo të mira në këtë edicion në disa ndeshje ka qenë mungesa e përvojës, pasi që dihet që jemi skuadra me moshën mesatare më të re në Superligë”, ka thënë mesfushori pejan.

Duelin e xhiros së trembëdhjetë kundër Dritës, Sheqerolli e konsideron tejet të vështirë dhe e sheh ekipin gjilanas si favorit.

Gjithsesi skuadra bardhekuq, premton se do të zhvillojë futboll të mirë në fushë.

“Ndeshja e nesërme është e vështirë dhe skuadra e Dritës është favorite. Si në çdo ndeshje tjetër do përpiqemi të luajmë futboll të mirë dhe do të tentojmë që te zhvillohemi edhe më shume si skuadër”, ka përfunduar numri 10 i FC Besës.

Përballja mes Besës dhe Dritës zhvillohet nesër në stadiumin “Tahir Vokshi” me fillim nga ora 13:00./GazetaDirekt/