SHPËRNDAJE

Spanja dhe Italia vazhdojnë duelin për vendin e parë në grupin e Botërorit. Rivalët e Shqipërisë arritën fitore bindëse
Nëse ne luftojmë për vendin e tretë, ka kush bën duel për kreun.
Spanja dhe Italia u sfiduan sërish në distancë në grupin tonë eleminator të Botërorit, duke fituar që të dyja, dhe duke mbetur të parat me pikë të barabarta.
Spanjollët kaluan ndeshjen e vështirë në Shkup ndaj Maqedonisë.
Në stadiumin “Filipi II”, ish-kampionët e botës dhe të Europës e kontrolluan lojën siç deshën për pjesën më të madhe të kohës, duke shënuar edhe dy gola.
David Silva e Diego Kosta goditën që në pjesën e parë, duke lënë pa shpresë mbi 20 000 spektatorët në tribuna.
Vendasit u përpoqën shumë, por thjesht ngushtuan diferencën, me rrjetën e shënuar në 66’ nga Stefan Ristovski.
Gjithsesi, dominimi spanjoll ishte shumë më I madh sesa thonë shifrat 2-1, me 7 gjuajtje në portë ndaj 1 të kundërshtarit dhe me 68 për qind mbajtje topi.
Italia e pati më të lehtë, pasi kundërshtari ishte I tillë.
Lihtenshtajni u mposht 5-0 në “Stadio Friuli” të Udines dhe të gjithë golat u shënuan nga autorë të ndryshëm.
Trajneri Ventura me siguri mbeti I kënaqur pasi ndoqi radhazi Insinjen, Belotin, Ederin, Bernardeskin dhe Gabiadinin që realizuan.
Edhe italianët patën sundim absolut dhe shkojnë me moral më të lartë në ndeshjen direkte ndaj Spanjës në Madrid, në muajin shtator.
Dy skuadrat e mëdha kanë nga 16 pikë, me spanjollët që kanë golaverazh më të mirë.