SHPËRNDAJE

E gjendur e papërgatitur përballë largimit të menjëhershëm të Gianni De Biasit, Kombëtarja shqiptare e futbollit është kthyer në pistën e preferuar të jo pak emrave të njohur të trajningut.

FSHF ka bërë të ditur se, trajneri i ri i kuqezinjve do të zgjidhet brenda korrikut. Kontaktet dhe bisedat me kandidaturat e mundshme, të cilat janë në një numër të konsiderueshëm, kanë sjellë jo pak CV të njohura në zyrat në Tiranë.

Por kush janë disa prej atyre që po lakohen në ditët dhe orët e fundit, për të pasuar Gianni De Biasin në drejtimin e Shqipërisë?

I fundit që i bashkohet karvanit të emrave prestigjiozë për kuqezinjtë është Roberto Carlos. Ish-futbollisti brazilian që shkëlqente me “Selecao”-n dhe fitoi zemrat e tifozëve me golat e tij spektakolarë, asnjëherë në pankinë nuk është ngritur në lartësinë e popullaritetit që kishte si lojtar.

Skuadra modeste si Akhisar, Sivaspor apo Delhi Dinamo, e pa rezultate për t’u spikatur, por sërish Roberto Carlos është në orbitën e FSHF-së.

Edhe Filippo Inzaghi është kontaktuar për të drejtuar përfaqësuesen kuqezi në mesin e fushatës së kualifikueseve të Botërorit 2018. Trajneri aktual i Venecias do të linte ekipin italian përballë një vitrine ndërkombëtare, me Shqipërinë, dhe në Veneto e dinë se klauzolat e kontratës nuk do t’i rezistojnë temperaturave të larta të verës.

Një tjetër kandidat, italiani Walter Zenga u vetofrua për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare. Karriera e tij si trajner është më e pasur sesa rivalët e mësipërm, me provën e fundit në Angli te Wolverhampton (Wolves), që gjithsesi u mbyll para kontratës.

/ Top Channel