SHPËRNDAJE

Një vit pasi u bë zyrtarisht aksioneri më i madh i Interit dh për rrjedhojë mori edhe drejtimin e klubit italian, kompania e fuqishme kineze “Suning” nxiton pa frena. Grupi kinez, pasi një vit më parë ka marrë maxhorancën e aksioneve të klubit të Inter, po punon fuqishëm për të ndërtuar një rrjet me klube nëpër të gjithë Europën.

Në muajt e kaluar është perfeksionuar depërtimi i Suning te Gil Vicente, klub portugez, sikurse dhe në Mouscron, në Belgjikë, por nuk është gjithçka.
Sipas raportimeve të fundit nga “tuttomercatoweb”, “Suning” ka vendosur tashmë në qendër të objektivave edhe një tjetër klub, kësaj here në Spanjë. Ndonëse nuk bëhet e ditur emri i klubit, objektivi është ai, që të krijojnë një rrjet botëror, duke nisur nga Inter dhe Jiangsu, mbi gjurmët e asaj që është bërë më parë nga Chelsea dhe Manchester City.

Lajmi konfirmohet edhe nga fjalët e vetë trajneri Luciano Spalleti, i cili me fjalët e tij, gjatë një eventi, ndërhyri duke thënë: “Suning ka emëruar Sabatinin në rolin e drejtorit sportive të të gjithë qarkut, duan nga një klub në çdo shtet, tani po blejnë një edhe në Spanjë. Dhe ne duam të dëshmojmë edhe më shumë që do të punojmë në harmoni për të marrë rezultatet e pritshme.”