SHPËRNDAJE

Për dy vite me radhë janë të paprekshme në futbollin kosovar në kategorinë e femrave. Janë këto vashat e skuadrës së Hajvalisë, të cilat dy vite të fundit janë shpallë kampione të Kosovës,e po ashtu edhe fituese të Kupës së Kosovës.

Kësisoj, futbollistet e Hajvalisë në krye me trajnerin, Emin Bajrami, do të na përfaqësojnë edhe këtë vit në garën e Champions Ligës.

Bajrami, po shpreson se suksesin e arritur deri më tani në futbollin kosovar, ta tregojë edhe në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, për një paraqitje dinjitoze dhe të suksesshme, nevojiten edhe përforcime të reja në skuadër.

” Ne e dimë çfarë niveli janë ekipet evropiane, sepse kemi fituar përvojë nga pjesëmarrja vitin e kaluar.

Ani pse kemi treguar shumë përshtypje të mirë, për ta kaluar grupin duhet së paku pesë përforcime cilësore. Do të mundohemi të krijojmë një grup të fortë, e kështu synojmë të arrijmë suksese edhe në garat ndërkombëtare”, ka thënë për GazetënDirekt, trajneri,Bajrami.

Hajvalia, u tregua jashtëzakonisht superiore gjatë gjithë kampionatit, duke i mposhtur kundërshtaret me rezultate të thella./GazetaDirekt.