SHPËRNDAJE

Borxhet dhe faturat e papaguara çojnë drejt vetëflijimit Gjergji Kushen, sportistin dhe trajnerin e njohur korçar, shkruan “Panorama”.

Ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e djeshme në qytetin e Korçës ku 59- vjeçari është hedhur nga kati i katërt i një pallati në qendër të qytetit. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në bulevardin “Republika”, ku një telefonatë në sallën operative ka sinjalizuar për një person të vetëhedhur nga lartësia. Pas mbërritjes në vend, blutë identifikuan viktimën si Gjergji Kushe, një emër i njohur në fushën e sportit.

Që në moshën 18- vjeçare, ai arriti të luajë dhe fitojë titullin “Kampion” me Vllazninë (ish portier), vazhdoi një karrierë të gjatë sportive duke punuar më para me të rinjtë e më tej, duke u kthyer në një prej trajnerëve më të njohur të portierëve të “Skënderbeut”. Ende pa mbushur 60 vjeç, Kushe u vetëflijua, ndërkohë që për vite të tëra u përball me konsumin e alkoolit, gjë, e cila i solli jo pak probleme. Edhe pse përgjatë vitit të fundit ai ishte duke zhvilluar betejën e tij me alkoolin, duket se gjendja e tij psikologjike ishte rënduar së tepërmi.

Pas vitit 2012, Kushe e kishte pasur të pamundur të vazhdonte punën si trajner, por edhe mësues i edukimit fizik, për shkak të problemeve shëndetësore të lindura si pasojë e konsumit të alkoolit, ndërsa siç mësohet, ai trajtohej edhe me KEMP. 59-vjeçari jetonte i vetëm në apartamentin e tij që pas vdekjes së nënës, ndërkohë që sipas të njohurve të tij, kohët e fundit, ishte në një gjendje tepër të rënduar psikologjike. Sipas informacionit të dhënë dje nga policia për ngjarjen, “Më datë 23.07.2017, në Spitalin Rajonal të Korçës, ka shkuar i pajetë trupi i shtetasit Gj.K, rreth 60 vjeç. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ky shtetas, në gjendje të rënduar emocionale është hedhur nga kati i katërt i pallatit në të cilin banonte në lagjen nr 2 të qytetit të Korçës dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga veprimet e kryera, rezulton se shtetasi Gj.K, jetonte i vetëm dhe kishte lënë edhe një letër në të cilën sqaronte arsyet e vetëvrasjes së tij. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Burime nga grupi hetimor bëtë të ditur se letra e shkruar nga vetë Kushe, lënë për të afërmit e tij, shpjegonte shkaqet që e çuan atë drejt aktit fatal. “Nuk e përballoj dot më këtë gjendje, më kuptoni. Çdo ditë e vuaj gjendjen në të cilën ndodhem, me faturat e papaguara dhe disa borxhe, ndaj nuk dua të jetoj më. E kam menduar gjatë dhe e kam vendosur”, shkruhej në letrën, e cila u gjet në banesën e tij. Sapo ka shkruar këtë letër, 59- vjeçari është hedhur në drejtim të rrugës kryesore nga një lartësi mbi 15 metra, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa dëshmitarë të shumtë të kësaj skene, banorë dhe kalimtarë të rastit kërkuan ndihmën e ambulancës dhe policisë, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën, pasi përplasja me asfaltin ka qenë vdekjeprurëse për të.