Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi ka deklaruar se marëdhëniet mes dy vendeve janë bilaterale, të cilat kanë ardhur duke u përforcuar nga viti në vit. Ibrahimaj bëri me dije se ditën e nesërme Maqedonia e Veriut do të marrë vendimin për çeljen e eksporteve për vajin e lulediellit.
Sipas Brahimajt ky vendim i Maqedonisë së Veriut është mjaft i rëndësishëm për furnizimin me mallra në këtë periudhë krize. Po ashtu, Ibrahimaj tha se së bashku me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut do të ndërmarrin të gjitha hapat për lehtësimin e integrimit në BE të dy vendeve.
“Në kuadër të nismës Open Balkan ne kemi marrë disa vendime për lehtësimin e tregëtisë, për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve. Kemi vendosur që të marrim hapat që do na lehtësojnë integrimin në BE.
Kanalet e tregëtisë janë kryesore me qëllim furnizimin e popullatës me ato produkte që janë jetike.
Nesër Maqedonia e Veriut do marrë një vendim për çeljen e eksporteve për vajin e lulediellit që është shumë e rëndësishëm, për furnizimin me mallra në një periudhë krize.
Marrëdhënia mes dy vendeve në kuadër të tregëtisë do vazhdojë të jetë shumë e mirë”, tha Ibrahimaj./ rtsh.al/