Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka hequr dorë nga ndërtimi i këtij objekti afër Fakultetit Teknik.
Për këtë arsye, tashmë i është hapur rruga caktimit të një vendi tjetër për ndërtimin e teatrit të Operës dhe Baletit.
Me 37 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Komunës së Prishtinës vendosi që vendi i teatrit të Operës dhe baletit të caktohet prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ku aktualisht ndodhet parkingu.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se kjo hapësirë do të shërbejë edhe si platformë multi-funksionale.
“Kemi pasur diskutime brenda 2.2 hektarëve sepse është një zonë shumë e madhe, kjo do të ketë edhe funksion multi-funksional”, deklaroi kryetari Rama.
Përpjekjet për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit datojnë që nga viti 2009.