Fiks para një jave, Komuna e Prishtinës e caktoi hapësirën ku do të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit, ndërtimi i së cilit është kërkuar tash e sa vite. Lokacioni që u nda është hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, që aktualisht shërben si parking. Por, çfarë do të bëhet tash me këtë projekt? Cilat janë hapat që do të ndërmerren?
Një kërkese të kahmotshme të artdashësve, iu dha përgjigje javën që shkoi.
Të enjten e 28 prillit, Komuna e Prishtinës ndau hapësirën që gjendet prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, si lokacion ku do të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit.
Për ndarjen e kësaj hapësire, Kuvendi Komunal i Prishtinës vendosi me 37 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
E tash kur lokacioni është ndarë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të vazhdojë me procedurat e tjera.
Nga ky institucion kanë deklaruar se do të shpallin konkursin ndërkombëtar për projektimin e këtij objekti.“Pas ndarjes së lokacionit nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit, MKRS-ja do të shpallë konkursin ndërkombëtar për projektimin e objektit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Për procedurat e mëtejme, studimin e fizibilitetit dhe hapat tjerë që do të ndërmerren, opinioni do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet”, kanë deklaruar nga Ministria.
Pas caktimin të këtij lokacioni, kishte folur Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ai kishte deklaruar kjo hapësirë do të shërbejë edhe si platformë multifunksionale.
“Kemi pasur diskutime brenda 2.2 hektarëve sepse është një zonë shumë e madhe, kjo ka me pasë edhe funksion multifunksional që qendra eksibite të jetë më e madhja në rajon. Po ashtu edhe një zonë komerciale që ndërlidhet me baletin e opera, kjo hapësira që ndërlidh po ashtu Arbërinë me qendrën që krijon mundësi të shlirtë të qytetarëve pa pasur nevojë me hypë në makina. Pra ky është aspekti multifunksional dhe diskutimet me Ministrinë janë të tilla”, tha Rama.
Ndërkohë, Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e kishte quajtur hap të rëndësishëm caktimin e lokacionit.
Kishte thënë se artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar, derisa kishte falenderuar kryetarin Rama për bashkëpunimin.
“Vazhdojmë me vendosmëri, edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit Tashmë e kemi edhe lokacionin, shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit. Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar.
Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për votën e tyre dhe kryetarin e komunës Përparim Rama për bashkëpunimin në këtë rast”, kishte shkruar Çeku.
Tutje, kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, “deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tone”.
Ndryshe, ndarja e kësaj hapësire erdhi një vit pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, hoqi dorë nga ndërtimi i këtij objekti afër Fakultetit Teknik.
Në vitin 2009 ishte vënë gurthemeli, por, pas pak kohe gjithçka stagnoi dhe mbeti një gropë e madhe te lokacioni i caktuar për ndërtim, e cila u mbyll më pas nga Komuna e Prishtinës.