SHPËRNDAJE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, do të ketë një seri takimesh përgjatë muajit shtator, duke përfshirë këtu edhe një vizitë në Gjermani për një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Kemi një agjendë të ngjeshur në shtator, në këtë ofensive diplomatike do të më bashkohet edhe presidenti Aleksander Vucic”, ka thënë Brnabiq për Tv Pink.

Takimi me Merkelin në Gjermani pritet që të ndodh pas 12 shtatorit kur edhe përfundon vizita e Brnabiqiq në Pragë.

“Jam duke u fokusuar për vizitën në Gjermani, ku do të kem mundësin të flas me kancelaren Merkel. Ajo s’ka qenë asnjëherë më e fuqishme dhe me më ndikim në Gjermani, ajo ka shumë përvojë dhe kam shumë respekt për të “, ka thënë Brnabiq.

Ajo ka thënë se bashkë me Vucicin do të kenë edhe takime dypalëshe dhe do të flasin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

“ Ne presim një vjeshtë dhe dimër të vështirë, dhe sot po përgatitemi për të . Po punopjmë për të sjellë diçka specifike për qytetarët tonë, përmes bisedave dhe takimeve”, ka shtuar tutje Brnabiq.

Në këtë takim në Gjermani temë diskutimi me gjasë do të jetë edhe çështja e dialogut dhe zgjidhja finale Kosovë-Serbi.

Se do të jetë një vjeshtë dhe dimër i vështirë e ka thënë edhe Vuçiq pas kthimit nga SHBA-të dhe takimit që kishte pasur me Sekretarin Amerikan, Mike Pompeo.

Kjo pasi që Sekretari Amerikan i kishte bërë presion të jashtëzakonshëm presidentit serb që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe që të gjejnë rrugën e rikthimit në dialog për një zgjidhje finale.

Njohjen e Kosovës e ka kërkuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, me të cilën Brnabiq do të takohet në shtator.

Këto takime të krerëve të institucioneve serbe, vijnë në një kohë kur Kosova përballet më një vakum institucional për shkak të dorëheqjes së qeverisë dhe zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Siç kanë shkruar mediat, SHBA-të e kanë vendosur si afat kohor për arritjen e një marrëveshje, verën e vitit 2020, ndërkohë bisedimet pritet të rifillojnë në fund të muajit dhjetor apo në janar të 2020-ës.

Kryeministrja serbe dje ka zhvilluar një takim në Spanjë me kryenegociatorin e ri të dialogut Prishtinë-Beograd, Josep Borell, me të cilin ka diskutuar rreth rinisjes së dialogut. Brnabiq i ka thënë atij se nuk do të kthehen në bisedime derisa Prishtina nuk e heq taksën.