SHPËRNDAJE

Prishtinë, 28 gusht – Bisedimet mes dy shteteve fqinje Kosovës dhe Serbisë nuk kanë sjellë rezultate të mira deri më tani, ani pse ka pasur shumë marrëveshje të nënshkruara. Në shumicën e rasteve këto marrëveshje nuk janë respektuar nga ana e Serbisë. Ish ministri i jashtëm i Republikës se Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se  bisedimet në mes Serbisë dhe Kosovës do të përfundojnë më njohje reciproke dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Hoxhaj, duket se ka harruar se Kosova ka dështuar të anëtarësohej pikërisht në UNESCO, pikërisht për shkak të Serbisë e cila vazhdimisht ka bëre fushata të egra kundër shtetit të Kosovës.

 

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Daçiq është shprehur edhe njëherë i sigurt se Kosova do të dështojë në anëtarësimin e saj në UNESCO. Daçiq edhe një herë ka shtuar se pranimi i Kosovës në UNESCO nuk është fare në agjendë deri më tani, shkruan Tanjug.

 

“Unë vazhdimisht e drejtoj këtë çështje, duke dërguar ambasadorë dhe jam i sigurt se nuk mund të kalojnë në anëtarësimin në UNESCO”, ka thënë Daçiq.

 

Në kuadër të kësaj ish Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj në intervistën e tij për një media të huaj nuk ka përmendur fare se si Kosova dështoi anëtarësimin në UNESCO, por ka thënë se Kosova do të njihet nga Serbia dhe se do të ketë pajtim mes dy popujve.

 

Premtimet e Hoxhajt

 

Ish ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për të përditshmen austriake, “Der Standard”, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me njohjen reciproke dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

 

Në intervistën për “Der Standard”, Hoxhaj ka theksuar se Kosova është në fazën e fundit të shtet-ndërtimit dhe kësisoj me Serbinë nuk duhet të bisedohet më për çështje teknike.

 

Nëse dialogu nuk do të përfundonte me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, atëherë Hoxhaj thotë se bisedimet nuk do të kishin kuptim.

 

“Ne jemi në fazën e fundit të shtet-ndërtimit dhe nuk duhet të bisedojmë më për çështje teknike. Dialogu i mbështetur nga BE dhe SHBA duhet të na shpie në fazën përfundimtare, ku Kosova merr ulësen e saj në Kombet e Bashkuara dhe të ketë një njohje të ndërsjellët mes Serbisë dhe Kosovës. Pa këtë, gjithçka është e pakuptimte”, theksoi Hoxhaj.

 

Po ashtu, Hoxhaj ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të kufizohet në kohë dhe në përmbajtje.

 

“Kosova dhe Serbia janë vende fqinje dhe njohja e ndërsjellët do të ishte qëllimi i vetëm. Derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk mund të ketë një proces të pajtimit mes popujve”, ka shtuar Hoxhaj. Hoxhaj ka thënë se ideja për ndryshim të kufijve e propozuar nga krye diplomati serb, Ivica Daçiç është e gabuar dhe rrezikon stabilitetin në rajon.

 

“Në Serbi flitet për këtë skenar shpeshherë, por historia ka treguar që është gabim. Kufijtë në Ballkan janë të vendosur dhe kushdo që bën propozime të tilla lidhur me Kosovën rrezikon stabilitetin. Kjo do të kishte një domino efekt, që do të ishte i papranueshëm edhe për Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Ne jemi kundër ndarjes apo çfarëdo shkëmbimi territoresh me Luginën e Preshevës. Është në interes të Serbisë që të modernizohet dhe të jetë një vend evropian. Testi i fundit për këtë është Kosova”, deklaroi Enver Hoxhaj.

 

Lëshimet e Kosovës në dialog

 

Njohësi i çështjeve juridike në vend Muhamet Kelmendi, ka thënë se në raport me Serbinë, ka pasur lëshime të mëdha të Kosovës të cilën gjë nuk mund të mbulon me interpretime jo reale.

 

 

“Çdo marrëveshje e bërë me Beogradin është shkuar nga fakti jo i njohjeve reciproke, sikundër deklaroi Enver Hoxhaj në “Der Standard”, por në krijimin e një subjekti të ri serb në Kosovë. Këtë e vërteton marrëveshja mbi dokumentet, mbi prokurorinë dhe gjykatat, mbi policinë, mbi asociacionin, mbi organizimin e komunave serbe, mbi amnistinë e krimineleve serb në veri dhe punësimin e tyre në polici të Kosovës, kur de-fakto, janë polici e Serbisë etj. Nuk mendoj se më këto marrëveshje pra nga bisedimet dhe përfundimi i tyre, që do të shkojnë nga njohja e shteteve, por kryesisht janë marrëveshje të ndarjes dhe të copëtimit të Kosovës” ka thenë Kelmendi.

 

Sipas tij, është shumë e dëmshme dhe jo politike si dhe tejet armiqësore që veprimet e tilla të vlerësohen si shtet formuese. Kelmendi po ashtu ka thënë se  Z. Hoxhaj nuk është fëmijë dhe me siguri si ish ministër e dinë këtë. “Kjo e b137në çështjen shumë të rendë dhe tepër të rrezikshme për Ballkanin e trazuar. Nga bisedimet e bëra dhe nga formimi i asociacionit do të shkohet kryesisht në ndarje. Asociacioni është kulmi i shkatërrimit të shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

 

Mehmeti: Hoxhaj Ministër i dështuar

 

Sipas analistit Faton Mehmeti ish ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj është nder ministrat më të dështuar të Kosovës që nga pas lufta, tip megaloman më fjalë të mëdha por aspak pune.

 

 

“Deklaratat e tija se dialogu më Serbinë do të përfundoj më njohjen e kësaj të fundit për Kosovën është mashtrim i radhës. Në fakt delegacioni i Kosovës në Bruksel gjithnjë ka qenë inferior  ndaj Serbisë, aq sa edhe Vuqiçi i ka  nxjerr nga takimet. Kjo tregon çfarë niveli përfaqësimi ka pasur Kosova, prandaj është gënjeshtër e madhe të thuash se ky delegacion do përfundoj më sukses diçka. Serbia ka qenë më serioze në bisedimet në Bruksel dhe ka arritur më shumë suksese se Kosova. Personalisht asnjëherë deklaratat e Hoxhajt nuk i marr seriozisht, se edhe ai vetë e di që gënjen kur flet” ka thënë ai duke shtuar se ky është niveli i ministrave që kemi pasur deri tani, dhe më të tillë njerëz asnjëherë s’do të mund të priten suksese. Hoxhaj i dështuar që nuk tha kurrë diçka të vërtetë.

 

Dialogu të përfundojë me njohje reciproke

 

E njohësi i çështjeve politike Nexhat Haziri ka thënë se është fakt se ky dialog duhet të përfundoj me njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, përndryshe nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi, edhe pse Beogradi zyrtar nuk dëshiron ta pranoj këtë publikisht.

 

 

“Askush nuk ka interes nga një konflikt I ngrirë në mes dy shteteve, sidomos kur ambiciet e tyre janë integrimet evropiane, pra Kosova dhe Serbia, do të duhet ta shfrytëzojnë dialogun për marrëveshje historike,  dhe kjo marrëveshje është njohja reciproke në mes dy shteteve. Po ashtu dihet se Beogradi, zyrtar ka një opsion që mundohet për ta shtyrë përpara mbi ndarjen e Kosovës, në atë shqiptare dhe pjesën serbe, një opsion i tillë dërgon vetëm në konflikte te reja, dhe si i tillë nuk e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, në veçanti ati të Ëashingtonit dhe Brukselit” ka thënë ai.

 

Sipas Hazirit i vetmi opsion real mbetët njohja reciproke ndërmjet dy shteteve, me garanci për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, dhe po ashtu kjo garancë duhet të jetë reciproke edhe për të drejtat e minoritetit shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës. “Kjo do të hapte rrugë Kosovës për anëtarsim në OKB  dhe organizma të tjerë ndërkombëtar, dhe për të dyja vendet do të paraqiste një perspektivë të qartë zhvillimore dhe integruese, me çka do paqësohej edhe rajoni I Ballkanit”, ka përfunduar ai.