SHPËRNDAJE

Kryeshefi Ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka thënë se ky institucion trajton të gjitha veprat që mund t’i kryejë një qytetarë apo pjesëtarë i Policisë, duke shtuar se shkeljet më së shumti lidhen me përdorimin e forcës dhe keqtrajtimin.

Ai tha se ka nevojë për disiplinim e trajnime shtesë për policët që kanë kontakt të vazhdueshëm me qytetarë.

“Ne trajtojmë të gjitha veprat penale që mund t’i kryejë një qytetarë mund të ndodh që t’i kryejë edhe pjesëtarë i policisë por veprat apo shkeljet janë ato që lidhen me përdorimi e forcës apo me keqtrajtim apo me tejkalimin e forcës gjatë arrestimit. Këto janë shkelje që janë tipike për zyrtarë policor dhe që ndodhin në të gjitha policit e botës”.

“Ka nevojë për disiplinim, trajnime shtesë për punonjës apo zyrtar policor që kanë kontakt të vazhdueshëm me qytetarë dhe të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si i qasen dhe respektojnë të drejtat e njeriut gjatë arrestimit të qytetarëve”, tha Hodaj për Ekonomia Online

Hodaj theksoi se ka një numër të zyrtarëve që ka ankesa të përsëritura ndaj tyre.

“Ka një numër të zyrtarëve që ka ankesa të përsëritshme ndaj tyre. Sigurisht që masat kanë efektin e tyre. Për vetë faktin që ka rritje të numrit të ankesave ndaj punës së policisë që adresohen në inspektorat kjo tregon që është rritur besimi në punën tonë dhe qytetarët janë më të gatshëm që të vijnë të ankohen dhe të ballafaqohen me zyrtarë ndaj të cilëve ata kanë dyshimet e tyre”, tha ai.

Megjithatë, ai shtoi se Kosova ka ndër policitë më të mira në krahasim me shtetet e rajonit, por edhe ka problematika zyrtare që inkriminohen apo bien ndesh me ligjin.

“Policia e Kosovës është një organizatë e madhe. Ka një numër të konsiderueshëm të punonjësve. Ne mund të themi që kemi ndër policitë më të mira në krahasim me shtetet e rajonit por edhe ka problematika zyrtarë që inkriminohen apo bien ndesh me ligjin. E jona është t’i hetojmë dhe largojmë ato elemente që e prishin imazhin e policisë dhe këtë po e bëjmë çdo ditë me punën tonë”.

Sipas Hodajt, drejtori i Policisë, Shamedin Mehmeti është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për një rast, i cili nuk lidhet me rastin e 400 kg drogë në Lipjan.

“Drejtori i policisë është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për një rast i cili nuk lidhet me rastin e 400 kg drogë. Mund të lidhet subjektet apo personat mund të jenë të njëjtë mirëpo natyra e shkeljes e zyrtarit që është i suspenduar lidhur me atë rast është intervistuar drejtori i Policisë dhe nuk lidhet me rastin e 400 kg drogë”, tha Hodaj.