SHPËRNDAJE

Kushti për të qenë i pajisur me certifikatën e vaksinimit për të hyrë në Kosovë, ka hyrë në fuqi nga dita e djeshme, dhe sot duhet filluar respektimi.

Vendimi i Qeverisë kërkon që secili qyetatarë që dëshiron të hyjë në Kosovë, duhet të jetë i pajisur me certifikatën e vaksinimit të plotë, ose së paku një dozë të vaksinës e shoqëruar me test PCR negativ.

“Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër  (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë)”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, u jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).