Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ndaj Xh.B. dhe A.B. është ngritur aktakuzë nga Gjykata për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë që përshkron aktakuzën, në Zabel të Gradicës, Gllogoc, të dy të akuzuarit kanë vrarë 15-vjeçarin A.M. dhe prindin e tij, B.M. për çështje pronësore rreth të drejtës së shfrytëzimit të malit.
“Sipas aktakuzës, më 05.04.2021, rreth orës 20:20, në vendin e quajtur “Zabel”, në pyllin e fshatit Gradicë, komuna Gllogoc, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake pronësore rreth të drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje, të pandehurit në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin A.M., (15 vjeçar) dhe prindin e tij, të ndjerin B.M., si dhe të njëjtit kanë vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarve të përfshirë në këtë rast, në atë mënyrë që i pandehuri A.B., duke kontribuar thelbësisht në kryerjen e veprës penale, përmes një drite ndriçon hapësirën duke i krijuar të pandehurit Xh.B., mundësinë për gjuajtje, ndërsa ky i fundit, po ashtu përmes ndriçimit nga një dritë tjetër shtënë me armë me pushkën e gjuetisë të punuar me dorë, në drejtim të dëmtuarit, tani të ndjerit A.M., e më pas kur i ndjeri B.M., dhe i dëmtuari V.M., shkojnë në drejtim të miturit për t’i dhënë ndihmë, atëherë i pandehuri Xh.B., përsëri shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M., në kokë, me ç’ rast i rrezikojnë edhe të dëmtuarit, të cilët ishin prezentë në vendin e ngjarjes, ku si rrjedhojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, viktimat ndërrojnë jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, përfundon njoftimi.