SHPËRNDAJE

Nesër vazhdon seanca e Kuvendit, pritet shqyrtimi i projektligjit për pagën minimale

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër (e mërkurë) do të vazhdojë seancën plenare për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seanca e kaluar.

Përmes një njoftimi për media është bërë me dije se pikat që do të diskutohen përfshijnë zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, por edhe zgjedhja e tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Po ashtu, në këtë seancë do shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Njoftimi i plotë:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 14 dhe 19 prill 2022:

3. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-130 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-139 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-140 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë,

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-141 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,

7. Debat parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 28 prill 2022:

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-076 për mbrojtjen e sekreteve tregtare,

6. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë,

7. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,

8. Formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

III. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5 maj 2022:

4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-143 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,

7. Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,

8. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,

9. Debat parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.