SHPËRNDAJE

Testi i fundit bërthamor i Koresë së Veriut ka shkaktuar rrëshqitje masive dheu, sipas pamjeve të para satelitore pas lajmit që tronditi botën të dielën.

Testi i së dielës u zhvillua nëntokë në malet e Punggye. Grupi “38 North” publikoi pamjet në të cilat duken ndryshimet pas tërmetit 6.3 ballësh që shkaktoi testi bërthamor.

Tërmeti u ndje përtej kufijve të Koresë së Veriut deri në Kinë. Sipas “BBC”, përcjell tvklan.al, Koreja e Veriut ka kryer 6 teste bërthamore deri më tani, të gjitha në malet Punggye-ri, ku ndodhet edhe një sistem tunelesh i shtetit komunist.

“38 North” tha se në fotot që ishin bërë një ditë pas testit të fundit, shfaqnin rrëshqitjet e dheut, ndërsa disa pjesë kanë fluturuar në ajër.

Ndryshimet e mëdha ndodhën në malin Mantap, pikën më të lartë në pjesën ku është kryer testimi.

Grupi analitik tha se pasojat e testimit të fundit ishin më të mëdha se në cilindo prej testeve të mëparshme. Shumë ekspertë mendojnë se ai mund të ketë shkatërruar edhe vendin nëntokësor të testimit.

Testimi bërthamor i së dielës besohet të ketë pasur fuqi 50 deri 120 kilotonësh.

Një pajisje me fuqi 50 kilotonë është tri herë më e fuqishme se bomba amerikane që shkatërroi Hiroshimën në vitin 1945.