SHPËRNDAJE

Ditë më parë KQZ, ka thënë se ata kandidatë që kanë probleme me ligjin nuk mund të garojnë në zgjedhje.

PDK ka bërë të ditur se do të respektojë vendimin e KGJK-së për largimin e kandidatëve nga lista që nuk e kalojnë procesin e verifikimit për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit”, ka bërë të ditur kjo parti përmes një njoftimi.

 

Kjo parti ka thënë se do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020.

“Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor.