SHPËRNDAJE

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka reaguar pas incidentit që ka ndodhur mbrëmë në Pejë ku është sulmuar autobusi i skuadrës së Sigal Prishtinës. FBK-ja kërkon nga organet e rendit që të identifikohen personat përgjegjës dhe ata të mos kenë më vend në palestrat e sportit.

Reagimi i plotë nga FBK-ja:

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e dënon ashpër incidentin që ka ndodhur mbrëmë para ndeshjes së dytë çerekfinale të Final 8 Kupës së Kosovës, kur është sulmuar nga persona të panjohur deri më tani, autobusi i skuadrës së Sigal Prishtinës para palestrës “Karagaçi” në Pejë.

Imazhe të tilla si ajo që ka ndodhur mbrëmë janë të papranueshme për komunitetin e basketbollit, por edhe për sportin në përgjithësi.

Federata e Basketbollit e Kosovës kërkon nga organet e rendit që të bëjnë përpjekje maksimale për të identifikuar këta persona në mënyrë që të tillët të mos kenë më vend në palestrat e sportit në vendin tonë.

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe organizatori i Final 8 Kupës së Kosovës, KB Peja janë zotuar se organizimi i këtij eventi prestigjioz do ta ketë sigurinë më të lartë të mundshme, duke filluar nga ekipet, tifozët e të gjithë akterët e tjerë që janë të përfshirë në të.

Federata e Basketbollit e Kosovës, KB Peja dhe organet e rendit në Pejë do të vazhdojnë të garantojnë siguri për të gjithë akterët deri në përmbyllje të këtij eventi.

Federata e Basketbollit e Kosovës dëshiron ta bëjë të qartë se ne do ti marrim të gjitha masat e nevojshme dhe do të shqiptojmë dënimet për akterët që bëjnë veprime të tilla, që nuk i kanë hije sportit, dhe që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë sportive, por as edhe njerëzore.

Final 8 Kupa e Kosovës duhet të jetë festë e të gjithëve, dhe assesi nuk duhet të jetë një event që frymon përçarje.